Thaçi viziton Qendrën Inovative të Kosovës
Prishtinë, 11 prill - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar Qendrën Inovative të Kosovës, ku është njohur nga afër për sukseset e kësaj qendre dhe zhvillimin e afarizmit dhe veprimtarisë së shumë bizneseve dhe ndërmarrjeve të teknologjisë informative në kuadër të kësaj qendre.
Kryeministri Thaçi gjatës kësaj vizite ju është drejtuar me një fjalë rasti udhëheqjes së Qendrës Inovative të Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve që funksionojnë brenda kësaj qendre.
\"Për mua është një kënaqësi e veçantë që jam në mesin tuaj, në mesin e njerëzve të Qendrës Inovative të Kosovës!Unë kam vizituar edhe më herët këtë qendër së bashku me mikun tim ambasadorin Jan. Dëshiroj të falënderojë atë për angazhimin e tij personal, të falënderojë ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, të falënderoj Qeverinë norvegjeze për mbështetjen e tyre të fuqishme, që i kanë dhënë këtij projekti, të cilin edhe ne e kemi mbështetur me pjesëmarrje modeste\", ka theksuar ai.
Ai ka deklaruar se ka besim të plotë se Qendra Inovative e Kosovës është shembulli më i mirë se si fillohet një punë, si vazhdohet dhe si arrihet një sukses dhe mbi të gjitha se si shpërndahet ai sukses në të gjithë vendin. Prandaj urime dhe përgëzimet nga zemra për të gjithë juve vajza dhe djem që jeni këtu dhe të tjerët.
\"Qendra Inovative ka qenë gjithmonë shembulli ma i mirë. Unë jam duke punuar bashkërisht edhe me Ambasadën e Norvegjisë, edhe me qeverinë norvegjeze, edhe në vizitat që kam pasur në Norvegji, që Qendra Inovative të mos mbetet vetëm në këtë nivel të suksesit që ka arritur por të ec tutje. Pra të vazhdojë mbështetja financiare për ju dhe të rritet participimi edhe i Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të hapen mundësi të reja dhe biznese të reja\", ka theksuar.
Për mua ishin jashtëzakonisht impresionuese prezantimet tuaja, prezantime që janë të rëndësishme jo vetëm për të rinjtë por janë të rëndësishme për krejt qytetarët e Kosovës. Ne jemi evropianët më të ri me potencial dhe mundësi të jashtëzakonshme, me njerëz inovativ, me shkathtësi dhe talent të jashtëzakonshëm të dëshmuar kudo në botë. Ju përmendët deri në San Fransisko, në Shkup e në Prishtinë dhe në vende tjera të Evropës, prandaj këto shkathtësi dhe këtë talent ne duhet ta shpërndajmë. Unë sapo takova një grup të vajzave, që ishin trajnerë të trajnerëve, ju urojë dhe përgëzojë se vështirë është të gjesh trajner të trajnerëve. Sido që të jetë ju jeni një shembull i mirë i suksesit.
Në anën tjetër, ndihem shumë mirë sepse Kosova është shembulli më i mirë në rajon edhe për sa i përket Teknologjisë Informative dhe secili nga ne duhet të ndihet shumë mirë dhe krenar për këtë. Sot Kosova për përdorim dhe përhapje të internetit në rajon, është vendi numër një. Ajo që është befasi dhe nuk është prezantuar shumë në opinion në zonat rurale tash po përdoret më shumë interneti se në zonat urbane. Në një kohë edhe për mua ishte befasi. Pra, kemi arritur të depërtojmë çdo kund.
Kjo është edhe lidhmëria e madhe e qytetarëve tonë me diasporën, dhe një lehtësim i madh i komunikimit. Ndërsa sa i përket zgjerimit të përdoruesve të Facebook-ut, kemi arritur në 73 për qind. Besoj që në gjashtëmujorin e fundit, kësaj i kam kontribuar edhe unë. Natyrisht se do të rrisim përdorimin edhe me tepër bashkë me ju.
Sot jam këtu vetëm të dëshmojë gatishmërinë tonë për të qenë me ju, për të thelluar partneritetin dhe të jeni të sigurt se do tiu përkrahim me gjitha mundësitë dhe potencialet që e kemi edhe ministria e Jashtme, edhe ministri tjera përkatëse, por edhe Qeveria drejtpërdrejt dhe të rrisim bashkëpunimin tonë të ngushtë, një bashkëpunim që do të rezultojë me krijimin e vendeve të reja të punës.
Ju keni filluar me 4 veta, ndërsa tani keni krijuar mundësi që ta keni rreth 144 me biznese të ndryshme anekënd Kosovës. Pra, qëllimi është krijimi i kushteve dhe mundësive të reja për krijimin e kushteve dhe vendeve të raja të punës. Dhe këto mundësi janë.
Ne kemi arritur tash ta përmbyllim procesin e pavarësisë dhe sovranitetit. Kemi arritur të rrumbullakojmë shtete ndërtimin, tani duhet të vazhdojmë fuqishëm me zhvillimin ekonomik. Tash duhet të vazhdojmë të ulim numrin e të papunëve, të krijojmë vende të reja të punës.
Ne kemi ulur papunësinë në një shifër të caktuar, por tani jemi në fazën përfundimtare të formimin e Fondit për Punësim, një fond ky prej 1.5 miliard euro që janë mjete tona jashtë vendit por me disa ndryshime ligjore në Kuvendin e Kosovës do ti sjellim në vend. Ato janë mjete tona, janë mjete tuaja dhe ato mjete duhet të shfrytëzojmë maksimalisht; e para si model Qendra Inovative e Kosovës dhe të gjitha projektet tjera, apo ndërmarrje të tjera të vogla, çfarëdo që të jenë të jenë përfituese, të zgjerohen, të krijohen edhe vende të reja të punës.
Pra përfitues do të jenë ndërmarrje të vogla, të mesme por edhe ndërmarrjet e mëdha për të rritur kapacitetet e tyre. Dhe do ti kushtohet një rëndësi e veçantë në veçanti krijimit të bizneseve të reja që hapin vende të reja të punës. E këto mundësi do ti keni. Prandaj, unë ju ftoi të gjithëve filloni, përgatitni sepse fondi do jetë i dedikuar vetëm e vetëm për krijimin e bizneseve të reja, mbështetjen e bizneseve aktuale për punësim, pra hapjen e vendeve të reja të punës.
\"Edhe një herë ju falënderoj shumë për mikpritje. Jam jashtëzakonisht i inkurajuar nga prezantimet e juaja. Do ta keni mbështetjen dhe do ta thellojmë edhe më tepër bashkëpunimin me qeverinë norvegjeze bashkëpunimin e shkëlqyeshëm edhe me ambasadën norvegjeze në Prishtinë. Me Qeverinë Norvegjeze do të punojmë për vazhdimin e mbështetjes dhe do të punojmë që Qeveria e Kosovë ta rritë edhe më tepër mbështetjen për ju\", ka theksuar ai.