Thaçi vizitoi kompaninë Wear&Go në Gjakovë
Prishtinë, 18 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës që zhvilloi sot në komunën e Gjakovës, vizitoi edhe kompaninë Wear&Go, e cila merret me prodhimin e veshjeve.
Gjatë vizitës në këtë kompani, kryeministri Thaçi shpalosi para mediave një pjesë të programit qeveritar, që ka për fokus zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që është prioriteteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pas takimit me pronarët dhe punëtorët e kompanisë, kryeministri Thaçi, vlerësoi lartë kompaninë Wear&Go duke theksuar se për mua është me rëndësi të vizitoj këtë ndërmarrje të suksesshme, ndërmarrje kjo me traditë prej 22 vitesh, ndërmarrje e suksesit të plotë, ndërmarrje e tekstilit. Takova këto vajza, gra, takova djem duke punuar me përkushtimin më të lartë.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe bizneseve kryeministri Thaçi vlerësoi suksesin e kësaj kompanie dhe shtoi se ky është një sukses, i cili duhet të vlerësohet lartë dhe jemi sot këtu për të diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunitetit të biznesit.
Duke theksuar nevojën e fuqizimit të ekonomisë dhe të mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme, kryeministri Thaçi potencoi krijimin e Fondit të Punësimit, një fond prej 1.5 miliard eurosh dhe shprehu besimin e plotë se ky model i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të ketë prioritet dhe do të kenë performancën e mirë që të jenë përfitues të drejtpërdrejt nga ky fond për të hapur edhe vendet e reja të punës, për të rritur kapacitetin prodhues.
Përveç ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfitues nga ky fond do të jenë edhe ndërmarrjet e mëdha të cilat krijojnë vende të reja të punës, përmes zgjerimit të tyre theksoi kryeministri Thaçi.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Thaçi u shpreh optimist se përmes thellimit të bashkëpunimit dhe partneritetit me biznesin do të arrijmë të fuqizojmë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive për hapjen e vendeve të reja të punës, që është qëllimi dhe misioni i ri i Qeverisë së Republikës së Kosovës.