Thaçi: Vendimi për rritjen e pagave është finalizuar
Prishtinë, 27 shkurt - E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt, të 172-tën me radhë, në të cilën aprovoi vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar se vendimi për rritjen e pagave për punëtorët kosovarë është formësuar, është finalizuar, kanë mbetur edhe disa nuance teknike të qartësohen dhe të finalizohen dhe vendimi më së largu do të merret nesër ose deri të hënën në mesditë.
\"Dëshiroj të konfirmoj për opinionin e gjerë dhe të gjithë se, rritja e pagave do të përfshijë rreth 82 mijë punëtorë kosovarë të të gjitha kategorive. Duhet kuptuar se nga viti 2007 e deri më 2013 rritja ka përfshirë të gjitha kategoritë.\"
\"Edhe tani, pra më 2014, kjo rritje do të përfshijë infermierët, mjekët, policët, profesorët universitarë, mësuesit, zjarrfikësit, punëtorët e administratës, shërbyesit civilë, gardianët, prokurorët, gjykatësit, doganierët, inspektorët tatimorë, të gjithë pjesëtarët e FSK-së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, veteranët, minatorët, gjithashtu edhe pensionistët kontribut dhënës\", ka thënë kryeministri Thaçi.
Ai ka potencuar se të gjitha këto kategori, rritja e pagave nga viti 2007 deri më 2013, për infermierët ka ndodhur një rritje prej 86 për qind, për mjekët 86 për qind, për policët 54 për qind, për profesorët universitarë mbi 100 për qind, për mësuesit mbi 50 për qind, për zjarrfikësit mbi 43 për qind, për shërbyesit civilë 43 për qind, për gardianët, punëtorët e administratës, për prokurorët 149 për qind, për gjykatësit 163 për qind, për doganierët 144 për ind, inspektorët tatimorë 143 për qind.
Ndërsa, gjithashtu rritje rreth 70 për qind sipas tij janë përfshirë edhe invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve. Gjithashtu, në vitin e kaluar vetëm për pensionistët kontributdhënës ka ndodhur prej 26 për qind, dhe rritje do te ketë për minatorët.
\"Kjo rritje do ti përfshijë edhe institutet shkencore, duke përfshirë Institutin Albanologjik, Institutin e Historisë, pra të gjitha kategoritë. Vendimi pritet të merret nesër më së largu të hënën, ka theksuar Thaçi.