Thaçi: Termokos siguron ngrohje me avull
Prishtinë, 15 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inspektoi punimet që po kryhen afër rrethrrotullimit të Kastriotit, në drejtim të rrugës për Shkabaj.
Në këtë segment janë në përfundim e sipër punimet në kilometrin e tretë të sistemit të gypave, që do të sjellin avullin e nxehtë prej termocentraleve të KEK-ut deri tek ngrohtorja e Prishtinës Termokos.
Kryeministrit Thaçi, ka deklaruar se procesi i përmbylljes së këtij projekti të ngrohtores për qytetin e Prishtinës, mund të themi lirisht se është një nga projektet më të rëndësishme pas ndërtimit të autostradës Shqipëri Kosovë.
Është projekti i nevojshëm, domosdoshëm, dhe jetik për qytetarët e Prishtinës.
"Ky është projekti më modern në rajon, ku do të sigurohet ngrohje me avull. Gjatësia e punimeve në projekt është 11 kilometër nga KEK-u deri në Prishtinë. Do të përmbyllet me kohë, për të filluar me punë nga vjeshta e këtij viti. Të gjitha punimet janë duke shkuar sipas planit. Qeveria e Kosovës do të kryej të gjitha obligimet e veta që ka karshi këtij projekti të rëndësishëm", ka pohuar ai.
Sipas tij janë dy probleme që është dashur që të zgjidhen për qytetarët e Prishtinës dhe ato janë çështjet që kanë të bëjnë me sigurimin e ujit dhe të ngrohjes. Me këtë intensitet të punës, që është duke u zhvilluar çështja e ngrohjes do të përmbyllet me sukses të plotë dhe me kohë rekorde.
"Falënderoj të gjithë mbështetësit që kanë kontribuar për këtë projekt bashkërisht me institucionet e Republikës së Kosovës, Qeverinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës. Është duke u bërë çmos që kjo çështje të zgjidhet njëherë për gjithmonë", ka theksuar ai.
Ai ka falënderuar të gjithë punëtorët, pune kryesit dhe gjithë njerëzit, që kanë kontribuar për këtë projekt të nevojshëm, të domosdoshëm, të rëndësishëm dhe jetik për kryeqytetasit.