Thaçi tërheq rritjen e pagave për presidenten, deputetët dhe Qeverinë
Prishtinë, 13 mars - Pas kritikave që mori nga deputetët në mbledhjen e djeshme të Kuvendit për rritje të kundërligjshme të pagave, kryeministri Hashim Thaçi ndërmori një hap tjetër, jo më pak efektiv mediatikisht për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme.
Ai gjatë një paraqitjeje televizive mbrëmë publikisht paralajmëroi se sot do të ulë pagat e stafit politik Presidencë , Kryeministri dhe Kuvend të Kosovës.
Kritikat e deputetëve për rritje të kundërligjshme të pagave dhe në funksion të marketingut politik dhe të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare posaçërisht lidheshin me rritjen e ndjeshme të tyre në këto institucione të shtetit, që do të gëlltisnin rreth 5.5 milionë euro.
Kryeministri Hashim Thaçi jo pa shenja zemërimi tha se sot do ta tërheqë vendimin për rritjen e pagave për stafin politik që arrin në vlerën e 5.5 milionë eurosh dhe se me këto para do të themelojë një fond për shërimin jashtë të fëmijëve të sëmurë, në veçanti që kanë nevojë për shërim nga kanceri dhe leukemia.