Thaçi: Rritja ekonomike pritet të jetë 4.1 për qind
"Këto norma të rritjes janë ndjeshëm më të larta se ato të shteteve fqinje. Kosova kështu vazhdon me rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan, përkundër krizës globale finansiare dhe ekonomike që ka futur në recesion edhe disa nga fqinjtë tanë", ka shkruar Thaçi në facebook.
Shkrimi i plotë i kryeministrit Thaçi i postuar në FACEBOOK
Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur Buxhetin për vitin 2014. Ky Buxhet nuk do të duhej të trajtohet si një buxhet i shkëputur vjetor, por më shumë si një buxhet me efekte afatgjata dhe i integruar në Kornizën afatmesme ekonomike dhe fiskale të Qeverisë.
Sikurse gjatë viteve të kaluara, edhe për vitin 2014 dhe vitet në vijim, ne presim të kemi rritje të konsiderueshme të ekonomisë. Në vitin 2014 norma e rritjes pritet të jetë 4.1%, ndërsa mesatarja për vitet në vijim 4.6%. Këto norma të rritjes janë ndjeshëm më të larta se ato të shteteve fqinje. Kosova kështu vazhdon me rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan, përkundër krizës globale finansiare dhe ekonomike që ka futur në recesion edhe disa nga fqinjtë tanë.
Total shpenzimet për vitin 2014 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliard e 590 milion euro.
Shikuar nga këndvështrimi i kategorive ekonomike, buxheti për Paga dhe Mëditje pritet të ketë një rritje të konsiderueshme për të akomoduar rritjen e premtuar të pagave të të gjithë kategorive të shërbyesve civilë. Rritje është planifikuar edhe në kategoritë tjera buxhetore, duke përfshirë edhe Subvencionet dhe Transferet.
Sa i përket shpenzimeve kapitale, ato pritet të jenë në vlerë prej 531 milion euro. Ky buxhet do të mundësojë vazhdimin e investimeve në të gjitha fushat me prioritet - dhe ajo që është shumë e rëndësishme - do vazhdohet me investime në infrastrukturën rrugore, duke përfshirë edhe Autostradën Prishtinë - Shkup si dhe ndërtimin e shumë projekteve tjera të rëndësishme, në mesin e tyre edhe ndërtimin e autorrugëve M2 dhe M9, respektivisht rrugët për Mitrovicë dhe Pejë.
Si edhe gjatë viteve të kaluara, Buxheti 2014 mbi të gjitha siguron qëndrueshmëri fiskale dhe përmirësim të mirëqenies për të gjithë qytetarët. Buxheti ka marrë notë të lartë nga institucionet ndërkombtare finansiare.
Buxheti i vitit 2014 është buxhet i zhvillimit dhe reformave, i progresit dhe i krijimit të vendeve të reja të punës.
Prandaj nesër, nga të gjitha partitë politike, pres një debat konstruktiv në Parlamentin e Kosovës, për miratimin e buxhetit për vitin 2014.