Thaçi premton heqjen e TVSH-së për lëndën e parë
Prishtinë, 3 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitave që po iu bën bizneseve anë e kënd Kosovës, sot ka vizituar disa ndërmarrje të prodhimit të mobileve në Vushtrri.
Kryeministri Thaçi fillimisht u ndal në Fabrikën e Mobileve BINNI, ku u njoftua për së afërmi me procesin e punës në këtë fabrikë moderne të përpunimit të mobileve, që është pronë e familjes Fazliu.
Më pastaj Kryeministri Thaçi vizitoi ndërmarrjen për plasmanin e mobileve DEKRA të pronarit Xhavit Krasniqi. Në përmbyllje të vizitës së ndërmarrjeve në Vushtrri, Kryeministri Hashim Thaçi, vizitoi Fabrikën për prodhimin e mobileve Ciao BERTO, të pronarit Ejup Krasniqi.
Kryeministri Hashim Thaçi tha Unë sot jam këtu në Vushtrri për të vizituar bizneset. Kam vizituar tri kompani të fuqishme të përpunimit të drurit dhe mobileve, tri kompani shumë të fuqishme jo vetëm të Vushtrrisë, por kompani shumë të fuqishme edhe në nivel të Kosovës, por mund të them edhe të rajonit.
Pata rastin të vizitoj kompanitë BINNI, DEKRA dhe Ciao BERTO, kompani këto që kanë të punësuar mbi 120 punëtorë, kompani shumë të fuqishme, të suksesshme dhe shembull për rajonin.
\"Jam shumë i inkurajuar dhe i entuziazmuar nga bisedat që kemi zhvilluar me përfaqësuesit e këtyre kompanive, me numrin e madhe të punëtorëve, që paguhen mirë, por edhe me cilësinë, që e kanë në përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobilieve\", ka theksuar ai.
Sipas tij tash Qeveria e Kosovës do të shikojë mundësinë më të mirë dhe shpejtë që të heqë edhe TVSH-në për lëndën e parë dhe përpunimin e drurit dhe për prodhimin e mobileve, në mënyrë që të krijohen kushte dhe rrethana shumë më të lehta për përpunimin e tyre, të zgjerohen këto biznese, të hapen edhe vende të reja të punës.
Në kuadër të këtij angazhimi do të jetë në ndihmë edhe Fondi i Punësimit dhe Zhvillimit, që do të krijohet shumë shpejtë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, një fond prej 1,5 miliard eurosh.
\" Të gjitha këto kompani, si dhe ndërmarrjet tjera, qoftë të vogla, të mesme apo të mëdha, do të mund të jenë përfituese nga ky fond për tu zgjeruar, për tu fuqizuar, dhe për të krijuar vende të reja të punës\", ka pohuar ai.
Në të njëjtën kohë, duke u nisur nga përvoja e këtyre kompanive, unë shpresoj se shpirti ndërmarrës këtu në Vushtrri dhe në Kosovë është shumë i fuqishëm, ka ide dhe kreativitet dhe do të hapen edhe bizneset e reja dhe me ndihmën e Fondit të Punësimit do të hapen edhe vende të reja të punës. Pra, me fuqizimin dhe angazhimet e tona për zhvillim ekonomik do të krijohen edhe vende të reja të punës theksoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës që i bëri fabrikave të prodhimit të mobileve në Vushtrri.
Në emër të prodhuesve dhe të përpunuesve të drurit pronari i Fabrikës për prodhim e mobileve Cia BERTO, Ejup Krasniqi e falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën dhe për përkushtimin për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se edhe përpunuesit e drurit dhe të mobileve, me projektet e tyre për tu zgjeruar dhe zhvilluar dhe për të krijuar vende të reja të punës, shpresojnë të jenë përfitues nga Fondi për Punësim dhe Zhvillim.