20 Nëntor 2024

Thaçi: MSA reflekton në rritjen dhe zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 2 korrik - Në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik që është mbajtur sot Kryeministri, Hashim Thaçi ka thënë se suksesi në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

"Kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës. Si Kryeministër i  vendit, dua të shpreh mirënjohjen time të lartë për të gjithë ata që kontribuuan dhe që do të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të kësaj marrëveshjeje në një afat rekord", ka theksuar Thaçi.

Marrëveshja si e tillë, përveç çështjeve politike sipas tij përfshin edhe ato ekonomike, pra çështjet rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë.

"Prandaj, suksesi në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të reflektohet në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët, qofshin vendorë, qofshin të huaj” ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e tij, në takimin e 11-të të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Që nga takimi ynë i fundit, progres tjetër që Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar në rrafshin ekonomik është edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Investime.

Duke pas parasysh prioritetet e kësaj banke, e cila është më e madhja për nga vëllimi kreditor multilateral, Republika e Kosovës sipas kryeministrit Thaçi do të përfitojë,ndër të tjera, në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimin dhe kompletimin e infrastrukturës së transportit, përmirësimin dhe kompletimin e infrastrukturës së energjisë, promovimin e inovacioneve përmes investimeve në teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit si dhe mbrojtjen e ambientit.

Bazuar në efektet zinxhirore në fushën e ekonomisë, të gjitha këto projekte sipas tij do të ndihmojnë në krijimin e mundësive të reja për investime, rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe me këtë në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve. 

Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme edhe në aspektin makroekonomik, përfshirë këtu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makrofiskale.

"Ne kemi marrë vlerësim pozitiv nga Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë rishikimit të rregullt të zbatimit të Marrëveshjes Stand-By. Në kuadër të kësaj është përgatitur edhe Rregulla Fiskale e cila së shpejti pritet të hyjë në fuqi", theksoi Thaçi.

Gjatë vitit 2012, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej rreth 3.9% që është shumë më e lartë sesa ajo e vendeve të rajonit.

Po ashtu, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Republika e Kosovës pritet që prapë të shënojë rritjen ekonomike më të lartën në rajon. 

"Ne do të vazhdojmë  me punën në përmirësimin e mjedisit afarist duke ulur jo vetëm koston financiare të të bërit biznes, por edhe kostot jo-financiare. Përmes reformës fiskale, e cila është në implementim e sipër ne parashohim të zvogëlojmë ngarkesëntatimore e me këtë uljen direkte të kostos së të bërit biznes." 

"Do të vazhdojmë me projekte kapitale të reja për të kompletuar infrastrukturën e transportit. Për këtë do të bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me Bankën Evropiane për Investime".

"Ne kemi rritur intensitetin e punës në sektorin e energjisë me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me energji si dhe modernizimit dhe zgjerimit të sistemit të ngrohjes. Do të vazhdojmë me lehtësimin e procedurave që ndërlidhen me të bërit biznes. Fushë kjo ku kemi shënuar progres sipas raportit të Bankës Botërore", ka pohuar kryeministri Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)