15 Nëntor 2024

Thaçi: MSA-ja, mundësi e mirë për forcimin e ekonomisë

Prishtinë, 28 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim një delegacion të Aleancës Kosovare të Biznesit, të kryesuar nga kryetari Agim Shahini.

Presidenti Thaçi falënderoi afaristët që përfaqësonin AKB-në për kontributin e tyre në zhvillimin e vendit, si me hapjen e vendeve të reja të punës, ashtu edhe me shërbime e prodhime gjithnjë e më cilësore për konsumatorët, gjë që ndikon edhe në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.

“Brenda kompetencave institucionale do t’i mbështes bizneset dhe prodhimtarinë vendore, veçanërisht përmes promovimit të tyre”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se prioritet do të ketë mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit, si kusht për zhvillim ekonomik, si dhe garantimin e stabilitetit politik të vendit, për të krijuar një klimë sa më të përshtatshme për biznesin privat.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, e uroi presidentin Thaçi në emër të aleancës për marrjen e detyrës së re dhe e falënderoi për mbështetjen e mëhershme dhe të tashme.

“Qysh në fillim të mandatit presidencial keni hapur dyert për biznesin privat dhe e keni nisur punën me takime dhe konsultime me sipërmarrësit e vendit. Ky është një mesazh i mirë mbështetës për komunitetin e biznesit”, tha Shahini.

Presidenti Thaçi bashkëbisedoi me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit edhe për gjendjen aktuale ekonomike në vend dhe për situatën e tensionuar politike, e cila i ka dekurajuar investitorët e huaj. Të dyja palët u pajtuan se tashmë kjo situatë është e tejkaluar dhe kthimi në normalitet dhe stabilitet, do të shoqërohet edhe me përmirësimin e klimës ekonomike në vend.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e mëdha që sjellë hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, por edhe për rëndësinë që ka për ekonominë e vendit avancimi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Unë kam besim të plotë se edhe fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit do të krijojë kushte dhe më të mira për punë, për bizneset e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)