Thaçi: MSA-ja avancon pozitën e Kosovës në tregjet ndërkombëtare
Fushë-Kosovë, 23 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të shikuar për së afërmi potencialet eksportuese të prodhuesve vendorë, sot ka vizituar kompaninë Eurolona, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
I shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, si dhe ai i Bujqësisë, Memli Krasniqi, presidenti Thaçi tha se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, prej fillimit të zbatimit të saj, do të përfitojnë më së shumti prodhuesit vendorë dhe qytetarët e Kosovës.
Tash janë hapur mundësi shumë të mëdha, mirëpo kjo përcillet në të njëjtën kohë edhe me sfida si rritja e konkurrencës. Por, nga ajo që pashë te Eurolona, shihet se konkurrenca do të tejkalohet, sepse cilësia është e standardit evropian dhe duhet vetëm të vazhdohet tutje me këtë trend, me këtë ritëm, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se MSA-ja avancon edhe pozitën e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Për hapjen e mundësive eksportuese të prodhimeve vendore ka folur edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili tha se MSA-ja i ka hapur rrugët, por tash varet edhe nga institucionet përkatëse dhe nga laboratorët e specializuar të cilët duhet të merren me sigurinë e ushqimit dhe me standardizimin e produkteve. Rruga është e hapur dhe prodhuesit vendorë duhet ti shfrytëzojnë këto mundësi, që i krijon zbatimi i MSA-së, ka thënë ministri Çollaku.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se rreth 25 për qind e të gjitha fondeve tona janë investuar në tetë vitet e fundit për ta konsoliduar sektorin e qumështit. MSA-ja është një kapitull jashtëzakonisht i rëndësishëm, që krijon mundësi shumë të mëdha për ndërmarrësit e Kosovës, veçanërisht për prodhuesit dhe përpunuesit. Ne besojmë se do ti shfrytëzojmë këto mundësi, pa i lënë anash edhe sfidat të cilat do ti tejkalojmë bashkërisht, duke ju ndihmuar prodhuesve që në mënyrë sa më të shpejt ti arrijnë standardet e kërkuara për të qenë konkurrues në tregjet evropiane dhe për të pasur një gamë më të gjerë të produkteve në tryezat e konsumatorit evropian, tha ministri Krasniqi.
Nga ana tjetër, pronari i kompanisë Eurolona, Milazim Berisha, tha se prodhuesit dhe institucionet, përveç punës së përditshme, tash kanë edhe përgjegjësi shtesë, që të investojnë edhe në eliminimin e pikave kritike dhe barrierave të cilat e pengojnë eksportimin e produkteve tona në tregjet e BE-së.
Mendoj që përkrahja e institucioneve nuk do të mungojë dhe bashkërisht do të arrijmë ti eliminojmë barrierat që i kemi. Ne veç jemi në implementim të disa projekteve të promovimit të qumështit të freskët dhe produkteve të qumështit, ku mendoj që me ketë projekt do të ndryshojë edhe qasja e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, tha pronari i kompanisë Eurolona, Milazim Berisha, i cili vizitën e presidentit Thaçi e cilësoi si inkurajim, që në të ardhmen të punohet edhe më shumë për ti arritur synimet tona.
Produktet e prodhuara në këtë kompani vendore ishin të certifikuara me standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, HACCP dhe ISO 9001:2008.