29 Dhjetor 2024

Thaçi merr mbështetje nga kryeministri Erdogan

Ankara, 20 maj - Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot është takuar me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministrit Thaçi  me këtë rast i është bërë një pritje e ngrohtë, vëllazërore, e shoqëruar me të gjitha nderimet më të larta shtetërore.

Kryeministri Thaçi dhe kryeministri Erdoğan fillimisht kanë pasur një takim të gjatë dhe miqësor kokë më kokë dhe më pas janë zhvilluar takime zyrtare  mes delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Turqisë. Në të gjitha takimet është vlerësuar lartë bashkëpunimi bilateral midis dy vendeve dhe të dy palët kanë shprehur gatishmërinë për ngritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.

Pala turke është shprehur e gatshme që të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në zhvillimin ekonomik, arsim, mjedis dhe veçmas në procesin e lobimin për njohjet e reja të Kosovës, shtet sovran.

Sot në Ankara janë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fushën e transportit, të bujqësisë, arsimit dhe ambientit.  Qeveria e Turqisë në mënyrë të veçantë është shprehur e gatshme të mbështesë ngritjen e Universitetit Publik të Prizrenit.

Pas takimeve zyrtare kryeministrat e dy vendeve mike, Hashim Thaçi dhe Recep Tayyip Erdoğan në një konferencë të përbashkët para gazetarëve  theksuan përkushtimin e institucioneve të tyre për zhvillimin e mëtejme të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.

Me këtë rast, kryeministri HashimThaçi, falënderoi qeverinë dhe popullit turk për ndihmat e deritashme që Turqia ka dhënë  për Kosovën, duke theksuar faktin se Turqia është ndër vendet e para që ka njohur Kosovën. Z. Thaçi me këtë rast theksoi se Kosova paraqet një rast të mirë për investime dhe ftoi biznesmenët turq që të investojnë në Kosovë.          

Me këtë rast pala turke mbështeti integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës duke premtuar mbështetjen e Turqisë për integrimin e Kosovës në institucionet euro -  atlantike.

Në konferencën për media komuniteti turk që jeton në Kosovë, u vlerësua si element i rëndësishme dhe urë bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.

Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan shtroi drekë për nder të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe delegacionit nga Kosova.

Gjatë ditës së sotme delegacioni nga Kosova, i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi pat takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu. Me këtë rast u bisedua për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, dhe ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoğlu, premtoi angazhimin e mëtejme të diplomacisë së Turqisë për sigurimin e njohjeve të reja për pavarësimin e Kosovës. Kryeministri Thaçi falënderoi ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoğlu për përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Turqisë në rritjen e numrit të njohjeve për shtetin demokratik të Kosovës.

Kryeministrin Thaçi në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqërojnë ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë, dhe Industrisë, Lutfi Zharku,  ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yağcılar dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand  Stavileci.

Kryeministri Hashim Thaçi nesër do të qëndrojë në Stamboll, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topbaş. Po ashtu, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e organizuar me përfaqësues turk të biznesit, lidhur me investimet në Republikën e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)