Thaçi mbështet bashkëpunimin e odave ekonomike të rajonit
Prishtinë, 28 shtator Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot një delegacion të kryesuar nga Sekretari Gjeneral i Asociacionit të Odave Evropiane të Ekonomisë dhe Industrisë, Eurochambres, Arnaldo Abruzzini, të përbërë edhe nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, si dhe nga Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, me të cilët bisedoi për të arriturat në bashkëpunimin ekonomik rajonal.
Presidenti Thaçi u shpreh se ekonomia është çelës për paqen dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Ka kaluar koha e nacionalizmit. Qytetarët duan paqe, zhvillim, mirëqenie, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërkaq, Sekretari Gjeneral i Eurochambres, Abruzzini, theksoi se bashkëpunimi rajonal është kyç për zhvillim dhe e përgëzoi presidentin Thaçi për të arriturat e Kosovës dhe rajonit në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se institucionet shtetërore të Kosovës mbështesin nismat për bashkëpunim ekonomik rajonal dhe inkurajoi thellimin e këtij bashkëpunimi.