Thaçi: Kosova mirëpret investimet e jashtme
Prishtinë, 23 janar - Kryeministrit Hashim Thaçi, ka deklaruar se
Kosova ofron kushte të shumta, resurse humane dhe natyrore, dhe mbi të gjitha, ofron përkushtim të thellë për investime nga jashtë me theks të veçantë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Ai në takimin me investitorë nga Bashkimi Evropian, takim i organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Zyra e BE-së në Prishtinë, ka deklaruar se Kosova dhe shtet-ndërtimi i saj është ndërmarrje e suksesshme në mes të vendorëve dhe vendeve mike, me theks nga BE, prandaj ju bëjë thirrje që edhe zhvillimin ekonomik ta bëjmë ndërmarrje të përbashkët të suksesshm.
\"Qeveria e Republikës së Kosovës krahas përkushtimit të saj në fusha të ndryshme të qeverisjes dhe shtet-ndërtimit, ka qenë e përkushtuar edhe në drejtim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes dhe ka bërë përpjekje të konsiderueshme për krijimin e kushteve të favorshme për investimet e huaja, e në veçanti për thithjen e investimeve nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian\", ka theksuar ai.
Sipas tij Investimet e huaja në Kosovë vetëm në nëntëmujorin e vitit 2013 kanë pasur rritje që kapin vlerën 205.4 milion euro, ku nga këto, 95 milion euro investime kanë qenë nga shtetet që anëtare të Bashkimit Evropian.
\"Kjo shënon një rritje prej 15% të investimeve totale të huaja në Kosovë, sektorët ku më së shumti ka pasur investime janë: patundshmëria, prodhimi, energjetika, ndërtimtaria, transporti dhe telekomunikacioni, ndërsa shtetet nga Bashkimi Evropian që më së shumti kanë investuar në Kosovë janë Gjermania, Austria, Sllovenia, dhe Britania e Madhe\', ka pohuar ai.
Sipas tij në vitin 2012 në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve janë regjistruar 534 kompani të huaja, ndërsa në vitin 2013 janë regjistruar 694 kompani të huaja, kështu që në raport me vitin 2012, gjatë vitit 2013 kemi ngritje për 160 kompani të regjistruara apo 30% me shumë.