Thaçi: Kosova është shteti me rritjen më të madhe ekonomike në Europën Juglindore
New York, 4 dhjetor - Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se viti 2014 është vit që shënon 15 vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë që menjëhërë u pasua nga protektorati i OKB-së.
Ai ka thënë së 15 vite duken shumë, por në krahasim me shumë konflikte të ngrira që rëndojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjitha kontinentet, besoj se lirisht mund të konkludojmë së bashku se OKB në Kosovë ka pasur një nga misionet më të suksesshme të historisë së saj pikërisht në Kosovë.
Kosova është sot një vend i lirë, me demokraci të qëndrueshme, me një ekonomi në rritje, me kushtetutë dhe ligje moderne, që garantojnë të drejtat e gjithë qytetarëve, e në veçanti të minoriteteve dhe që ka një decentralizimin të mirëfilltë të pushtetit.
Kosova tashmë ka hyrë edhe formalisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke iniciuar nënshkrimin e Marrëveshjës së Stabilizim Asociimit dhe një gjë e tillë është konsideruar shumë e vështirë vetëm disa vite më parë.
Mirëpo, falë dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjes historike të Brukselit, Kosova sipas Thaçit është transformuar nga një importuese e resurseve të sigurisë në një eksportuese të iniciativave globale për paqe dhe tolerancë.
\"Janë pesë zhvillime kryesore që dua t\'i potencoj në këtë paraqitje time para jush në emër të Republikës së Kosovës që dëshmojnë se ju të gjithë, së bashku me neve, mund të jeni krenarë për suksesin e përbashkët në Kosovë\", ka theksuar Thaçi.
E para, sipas tij është së Kosova organizoi brenda 6 muajve dy palë zgjedhje të suksesshme, si ato lokale në fund të vitit 2013 ashtu edhe ato nacionale në qershor të 2014.
Këto zgjedhje u vlerësuan të lira, mirë të organizuara, transparente dhe demokratike nga vëzhgues ndërkombëtar.
Këto zgjedhje siç ka thënë ai sollën edhe zgjedhjen e kryetarëve serbë në veri që tani janë të integruar në sistemin ligjor kosovar dhe mbi të gjitha gëzojnë legjitimitetin e gjithë komunitetit që jeton në veri por që janë të pranueshëm edhe nga popullata në veri.
E dyta sipas Thaçit pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit ka pasur një bllokadë politike e cila asnjëherë nuk u shndërrua në krizë të dhunshme.
\"Kështu përderisa ka ndodhur që të ketë protesta të dhunshme në shtetet fqinje, dhunë policore dhe delegjitimim të institucioneve të pavarura si gjykatat supreme dhe kushtetuese, Kosova e dëshmoi se pavarësisht a jemi në opozitë apo qeveri, pavarësisht se a jemi shumicë a pakicë, klasa politike e Kosovës e respekton Kushtetutën, e respekton ligjin, i respekton vendimet e gjykatës Kushtetuese dhe e respekton presidenten e vendit, zonjën Atifete Jahjaga, përndryshe gruaja e parë presidente në tërë Ballkanin edhe kjo është një shenjë e emancipimit politik të Kosovës\".
\"Tani, me kënaqësi të veçantë mund të iu konfirmoj se duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe falë rolit lehtësues të Presidentes së Republikës së Kosovës, dy partitë më të mëdha, partia fituese - Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje së bashku me të gjitha minoritete. dhe ju konfirmoj që javën e ardhshme do të krijohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës\", ka theksuar ai.
Pika e tretë siç ka permendur Thaçi është se stabiliteti politik është projektuar edhe në suksese të Kosovës në planin ndërkombëtar.
Njohja ndërkombëtare e Kosovës si një element i pamohueshëm i arkitekturës ballkanike politike, nuk u ndërpre. Me këtë rast, ai ka falënderuar Tongën, Togon, Lesothon dhe Ishujt Solomon që njohën pavarësinë e Kosovës, duke sjellur numrin e njohjeve të Kosovës në 108.
Pika e katërt sipas tij është e ndërlidhur me zhvillimet globale dhe rolin përkatës së Kosovës.
Lufta globale kundër terrorizmit, por edhe shpërndarja e radikalizmit fetar ka prekur edhe Kosovën njësoj sikur shumicën e shteteve të botës.
\"Ka grupe margjinale edhe tek ne, sikurse në të gjitha shtetet europiane, që po rekrutojnë dhe avokojnë për pjesëmarrje të Kosovarëve në Siri dhe Irak në anën e ISIS. Ky fenomen është shqetësues, por Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që tendencat e tilla kurrë mos të realizohen. Kemi arrestuar disa dhjetëra luftëtarë të dyshimtë por edhe inspirues përfshirë imamë që nxisin urrejtje.\"
\"Tanimë kemi përgatitur Ligjin kundër pjesëmarrjes së kosovarëve në luftëra të huaja dhe jemi duke punuar aktivisht në promovimin e Kosovës si platformë të dialogut global për tolerancë ndërfetare. Falënderoj Sekretarin Gjeneral Ban Ki Moon, por edhe Departamentin e Shtetit Ameriakn që në raportet e tyre këtë vit kanë vlerësuar rolin e Kosovës në promovimin e tolerancës ndërfetare\", ka thënë kryeministri.
Ndërkaq Pika e fundit sipas tij është pasi Kosova ka shënuar sukses fenomenal në indeksin e Bankës Botërore në lehtësirat e të bërit biznes dhe se Kosova është shteti me rritjen më të madhe ekonomike në tërë Europën Juglindore në 6 vitet e fundit me rritje mesatare prej 4.5%.
Po ashtu sipas Thaçit Kosova është shteti me borxhin më të vogël publik në tërë Ballkanin që nuk kalon 10% të Bruto Prodhimit Vendor. Kosova është një vend me më së shumti lidhje interneti në tërë Ballkanin.
Afër 90% e popullatës ka qasje në internet të shpejtë, rezultat kjo i demograsië sonë të re, por edhe diasporës dhe nevojës që të jemi në kontakt me familjen tonë.
\"Tani më jemi në fazën përfundimtare të sjelljes së investitorëve të huaj në turizëm, energjetikë, ndërsa për 8 vite kemi ndërtuar 1500 kilometra rrugë dhe autostradë, si dhe 120 shkolla\", ka thënë Thaçi në fund.