Thaçi: Kosova është ndërtuar falë punës së njerëzve
Prishtinë, 13 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi, me të cilët bisedoi për gjendjen e pensionistëve në Kosovë dhe për mundësitë për ti përkrahur ata.
Presidenti Thaçi tha se Kosova është ndërtuar falë punës së njerëzve që sot duhet të gëzojnë një mirëqenie dhe jetë dinjitoze si pensionistë.
Keni kontribuar për shtetin dhe tash është radha e shtetit dhe institucioneve të tij, që të shtojnë kujdesin për juve, ka thënë presidenti Thaçi.
Përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës e uruan presidentin Thaçi për detyrën e tij të re dhe e falënderuan atë për angazhimin e deritashëm, në të gjitha postet që ka mbajtur, për të përmirësuar mirëqenien e pensionistëve.
E njohim angazhimin tuaj dhe jemi mirënjohës për rritjen e pensioneve dhe rregullimin e skemës pensionale, ka thënë Kajtazi.
Përfaqësuesve të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, presidenti Thaçi u ka thënë se do të jetë gjithnjë i hapur për pensionistët, për ti dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për ti përkrahur në përputhje me mundësitë që ka.