Thaçi ka vizituar kompaninë Scards në Prishtinë
Prishtinë, 30 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka vizituar kompaninë Scards në Prishtinë.
Pas takimit me pronarët e kompanisë Scards kryeministri Thaçi u prononcua për medie:
Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të takoja këtë grup të të rinjve të Prishtinës, të Kosovës, që kanë themeluar një organizatë, që kanë themeluar një kompani të IT-së, shumë të fuqishme, që i takon të sotmes por edhe të ardhmes. Një kompani me rreth 30 punëtorë, e të gjithë këtyre vajzave dhe djemve të Prishtinës.
Ajo, çka me të vërtetë jam shumë i entuziazmuar dhe i mrekulluar nga kjo punë e shkëlqyer e gjithë këtyre vajzave dhe djemve, është se këta kanë themeluar edhe akademinë Scards që është një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë kosovar do të thotë një investim i drejtpërdrejtë në edukim.
Këto janë mundësitë tona të para, të bashkëpunimit si Qeveri e Republikës së Kosovës në kuadër të fondit për punësim, një fond ky prej 1 miliard eurosh që do të shpërndahet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe një nga prioritetet kryesore në këtë drejtim do të jetë investimi në edukim.
Kjo akademi do të jetë një mundësi e madhe për të gjithë të rinjtë e Kosovës. Dëshiroj tju uroj për sukseset, për punën e mrekullueshme. Iu uroj Ju, dhe gjithë ekipit tuaj të mrekullueshëm. Ndihem krenar me ju! tha kryeministri Thaçi.