Thaçi ftoi investitorët norvegjezë që të investojnë në Kosovë
Oslo, 15 mars - Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar sot vizitën zyrtare në Norvegji.
Në ditën e parë të vizitës, Kryeministrit Thaçi është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi Qeverinë norvegjeze për mbështetjen e vazhdueshme për proceset zhvillimore në Kosovë, si në sistemin e drejtësisë, arsimin, por edhe në trashëgiminë kulturore.
Kryeministri Thaçi prezantoi vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për politikën e jashtme, duke vënë në rend të parë integrimet euro-atlantike, ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Duke pasur parasysh faktin se Norvegjia është ndër shtetet themeluese të Aleancës Veri-atlantike, kryeministri Thaçi kërkoi mbështetje politike dhe ofrim të asistencës teknike për arritjen e standardeve që kërkohen, që edhe Republika e Kosovës të jetë pjesë e Partneritet për Paqe.
Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova është duke bërë reforma për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në mënyrë që të krijohet ambient i favorshëm për investime ekonomike ndërkombëtare në Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ftoi investitorët norvegjezë që të investojnë në Kosovë, ndërsa garantoi plotësisht mbështetje të vazhdueshme institucionale për bizneset norvegjeze që operojnë apo janë të interesuara të investojnë në Kosovë.
Nga ana e tij, ministri Eide përshëndeti progresin e Kosovës, si shtet i ri dhe ofroi mbështetjen e mëtejshme të shtetit norvegjez për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.