Thaçi: Fondi është fond i biznesit privat, dhe i krijimit të vendeve të punës
Prizren, 28 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës që iu ka bërë disa bizneseve në komunën e Prizrenit, në ambientet e Hotel Abit në Prizren u takua me përfaqësuesit e ndërmarrjeve të vogla të kësaj komune, me të cilët bashkëbisedoi për mundësitë e zgjerimit të bizneseve dhe për hapjen e vendeve të reja të punës, në funksion të implementimit të Mision të Ri për zhvillimin ekonomik të vendit.
Pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë takim, kryeministri Thaçi theksoi se ne dëshirojmë që përmes këtij bashkëbisedimi të dëgjojmë opinionin tuaj, të kemi një dialog të drejtpërdrejt, të marrim atë se çfarë ju mendoni dhe pastaj gradualisht të shkojmë drejt formësimit të vendimit tonë për krijimin e Fondit të Punësimit, që do të jetë një fond prej 1.5 miliardë eurosh.
Dua tju them në mënyrën më të sinqertë të mundshme, me dëshirën më të madhe, do t\'ju vizitoja secilin veç e veç, por unë ju them se çdo herë jam me ju dhe pranë jush, si dhe në mbështetjen tuaj. Mbështetjen do ta keni të gjithë\", ka theksuar ai.
Sipas tij qeveria ka bërë rritjen e pagave për të gjithë punëtorët, të cilat do të merren me 30 të këtij muaji apo me 1 maj.
\"Gjithashtu, kemi arritur që ta ulim numrin e papunësisë nga 40 në 30 për qind, por ka mbetur një hapësirë pa e mbushur në angazhimet tona, ajo është punësimi apo krijimi i vendeve të reja të punës. Ju përgëzoj të gjithëve që keni krijuar vende të reja të punës. Ju falënderoj shumë, sepse keni bërë punë të mrekullueshme si biznes privat, familjar, por edhe me punëtorët\", ka theksuar ai.
Sipas tij tani pikërisht për të goditur këtë pikë të dobët që e kemi si shoqëri dhe si shtet, me pasoja edhe më herët, si Qeveri e Kosovës kemi vendosur që të krijojmë Fondin e Punësimit, është fond prej 1.5 miliardë euro, që është fond juaji. Ky fond të jetë dhe do të dedikohet drejtpërdrejt për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, si dhe për hapjen e bizneseve të reja.
\"Ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha do të kenë mundësi të zgjerohen , të rrisin prodhimin e tyre, por në të njëjtën kohë edhe të krijojnë vende të reja të punës. Ndërsa, me kontaktin që kemi me të rinjtë, me shpirtin sipërmarrës, është një vendosmëri dhe kreativitet i jashtëzakonshëm, por edhe zotim, për të filluar hapjen e bizneseve të reja dhe për të krijuar edhe vende të reja të punës\", ka pohuar ai.
Sipas tij ky fond është fond i biznesit privat, është fondi për krijimin e vendeve të reja të punës.
\"Ky fond është juaji dhe për këtë arsye edhe jemi sot këtu. Ky bashkëbisedim është edhe informim yni për ju, që edhe ju të përgatiteni\", ka pohuar ai.
Sipas tij suksesi i biznesit në Kosovë është sukses i shtetit të Kosovës, është suksesi i shoqërisë sonë, është rritja e mirëqenies sociale të qytetarëve.
\"Ne do t\'i hapim zyrat tona që do të japin sqarime profesionale për Fondin e punësimit, për çdo interesim tuajin, do të jemi në dispozicion, por në të njëjtën kohë do t\'ju ftoj edhe për vëmendje - ne do t\'i hapim zyrat e punësimit në çdo qytet. Do të investojmë te ju, por edhe zyrat e punësimit do të hapen për ta rritur numrin e punëtorëve\", ka theksuar ai.