Thaçi: Ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar përgjithmonë
Mitrovicë 12 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, sot ka vizituar Minierën e Trepçës në Stantërg të Mitrovicës. Me këtë rast kryeministri ka vizituar horizontin e 10 të Minierës së Trepçës.
Kryeministri Thaçi, ka theksuar se mdihet tepër mirë dhe shumë krenar që sot ishte në mesin e njerëzve, heronjve të punës, të rezistencës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
"Është hera e dytë ne jetën time që jam në horizontet e Trepçës, në këtë vend të bekuar. Hera e parë ka qenë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, kur e kemi larguar Serbinë nga Kosova. Kjo është hera dytë, tash në Kosovën e pavarur dhe sovrane ,jam në këtë moment pranë minatorëve së bashku me të gjithë, për ti dhënë mbështetje të plotë punës, në veçanti tash pas kalimit në Qeverinë e Kosovës të Projektligjit ndërmarrja Trepça shndërrohet në ndërmarrje publike, pronë e shtetit të Kosovës", ka pohuar ai.,
Sipas tij kjo është pronë e qytetarëve të Kosovës, është pronë e minatorëve, është pronë e shtetit të Kosovës, është një nga resurset më të fuqishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Kam besim se shumë shpejt edhe Kuvendi i Kosovës do ta aprovojë projektligjin në fjalë dhe do të kemi më tepër zhvillim, krijim të vendeve të reja të punës dhe natyrisht, edhe rritje të pagave për punëtorët që punojnë këtu, të cilët me punën, sakrificën dhe djersën e tyre, janë duke bërë çmos, për çka i falënderoj, ngase terë këto vite e kanë ruajtur Trepçën, kanë filluar prodhimin.
Sipas tij tash po avancohet. Trepça është një nga gjigantët më të fuqishëm në Kosovë, rajon, por edhe në Evropë, është nderi, krenaria e qytetarit të Kosovës, edhe për kaluarën, të sotmen dhe do të jetë edhe në të ardhmen.
Unë do të jem gjithmonë afër jush, do të jem gjithmonë në mbështetjen tuaj, në realizimin e projekteve tona të përbashkëta .
Ndihem tepër mirë, që edhe për pensionistët e parakohshëm të Trepçës i kemi rritur pagat. Jemi dakorduar që deri në 1 janar të vitit të ardhshëm, ti rrisim edhe njëherë për 50 për qind për ata pensionistë, ndërsa drejtori z.Tmava do ta kenë mbështetjen time të plotë, që edhe për gjithë këta punëtorë që punojnë në horizonte e Trepçës ti kenë pagat edhe më të mëdha, që kjo rritje të ndodh brenda këtij viti, menjëherë pas kalimit të këtij projektligji, të rriten rrogat për gjithë minatorët.
"Nuk ka rrogë që mund të mbulojë këtë energji, këtë mund, djersë dhe sakrificë të minatorëve", ka theksuar ai..