30 Janar 2025

Thaçi: Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje rreth 4 për qind

Prishtinë, 13 shkurt - Kryeministrit Thaçi në Mbledhjen e Parë për vitin 2013 të Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik ka thënë se edhe në vitin 2012, ekonomia e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje reale në vlerë prej rreth 4%, përkundër krizës ekonomike e cila ka kapluar ekonominë globale.

Rritje sipas tij kanë shënuar edhe të ardhurat për kokë banori që janë matës i përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve.

Ai ka thënë së ngritja e mirëqenies sociale dhe materiale të qytetarëve është dhe duhet të jetë synimi strategjik, si dhe obligimi ligjor dhe moral i çdo qeverie.

Ky progres gjithnjë sipas kryeministrit Thaçi dëshmon se politikat ekonomike që dalin nga Vizioni i Zhvillimit Ekonomik, i cili ka shërbyer si Platformë Reformatore e Qeverisë që unë drejtoj, kanë qenë politika të qëlluara.

Këto politika ekonomike përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve e bazojnë në fuqizimin e sektorit privat.

Kjo e fundit, arrihet përmes përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe asaj fizike, lehtësimeve administrative, përmirësimit të kapitalit njerëzor dhe qeverisjes së mirë. 

Sipas raportit të Bankës Botërore mbi Të Bërit Biznes, Republika e Kosovës ka shënuar avancim në përmirësimin e ambientit afarist duke zvogëluar ngarkesën administrative ndaj bizneseve.

Thaçi ka theksuar se Qeveria vazhdimisht është angazhuar që përmes ngarkesës më të vogël tatimore të stimulojë zgjerimin dhe fuqizimin e sektorit privat dhe kështu të përshpejtojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Duke u bazuar në suksesin e reformës fiskale të vitit 2009, vjet Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij ka filluar zbatimin e një pakoje të re fiskale me qëllim nxitjen e sektorit privat.

"Njëkohësisht, të dy reformat fiskale kanë përfshirë në vete edhe komponentën e përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve përmes zvogëlimit të tatimeve edhe për të punësuarit dhe përjashtimit nga TVSH-ja e disa shërbimeve esenciale siç janë, shëndetësia dhe arsimi", ka theksuar ai.

Gjithashtu sipas tij Qeveria ka rritur vazhdimisht investimet kapitale me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Shumë shpejt do të përfundohet rruga R7. Sa i përket rrugës R6 Prishtinë-Shkup, përgatitjet veç ka filluar.

Përveç këtyre projekteve madhore, është punuar shumë edhe në projekte të përmasave më të vogla për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në nivel lokal dhe regjional.

Kjo sipas Thaçit është bërë me qëllim të uljes së kostos së operimit për bizneset dhe përmirësimit të standardit jetësor për qytetarët në përgjithësi.

Ai ka thënë me tutje se Qeveria është duke punuar intensivisht edhe në sektorin e energjisë me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me energji elektrike.    

Deficiti primar sipas tij ka qenë gjithnjë brenda suazave të rekomanduara dhe borxhi publik është më i ulët sesa që lejohet me ligj.

Gjithashtu, bilanci bankar është në një nivel më të lartë se ai që rekomandohet në bazë të marrëveshjes Stand-By që kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.    

"Ky përkushtim mbështetet në besimin tonë, në atë se krahas lirisë dhe stabilitetit politik, parakusht për ngritjen e mirëqenies sociale dhe materiale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, është edhe rritja dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, i bazuar në sektorin privat", është shprehur kryeministri Thaçi.

Duke e përgëzuar Këshillin për sukseset e arritura në fuqizimin e sektorit privat për vitin 2013 ai ka thënë se e inkurajon të vazhdojë me një shpejtësi edhe më të madhe ta realizojë mandatin e tij.

"E inkurajoj këtë Këshill që të vazhdojë të ndihmojë sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrje ndërkombëtare, duke rritur kështu investimet e huaja në vend", ka theksuar në fund kryeministri Thaçi. 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)