19 Nëntor 2024

Thaçi: 2014-a, vit i unifikimit të organizatave sindikale

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 6 janar - Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), Naser Thaçi, ka deklaruar se punëtorët e Kosovës po kanë vështirësi në organizimet sindikale. Sipas tij, problemet e sindikatave në Kosovës janë: mosunifikimi i tyre, përçarjet brendapërbrenda tyre nga grupe të ndryshme të interesit dhe moszbatimi i Ligjit për Organizim Sindikal.

“Epoka e re”: Cili është sot roli i sindikatave në Kosovë?
Thaçi: Të them të drejtën, e kam pak vështirë ta them realitetin, sepse dhemb, por gjendja është kjo. Nuk ka një organizatë të mirëfilltë sindikale, sepse brenda tyre ka përçarje, grupe të interesit, moszbatim të Ligjit për Organizim Sindikal dhe Udhëzimit Administrativ, funksionim ilegal, zgjedhje joparimore. Këto janë disa nga të këqijat që po ua humbin pastaj rolin sindikatave. Pastaj me të drejtë disa punëtorë nuk dëshirojnë të jenë anëtarë të këtyre sindikatave.

“Epoka e re”: Çfarë mendoni se duhet të bëhet në këtë drejtim?
Thaçi: Kërkohet një unifikim i të gjitha sindikatave brenda organizmit më të madh sindikal - BSPK-së, sepse vetëm nëpërmjet këtij organizmi mund të integrohemi në konfederatat sindikale të Evropës, por edhe BSPK-ja duhet të jetë më e hapur.

“Epoka e re”: Sa është i mundur ky unifikim i sindikatave?
Thaçi:  Mjafton të lihen anash interesat personale, grupore, klanore dhe të shkohet në drejtim të përmirësimit dhe fuqizimit të rolit të sindikatave, në këtë mënyrë mbrojtja e interesave të punëtorëve do të ishte më e mundur, në të kundërtën jo.

“Epoka e re”: Cili do të ishte hapi i parë?
Thaçi: Një takim i përbashkët (në formë tryeze apo konference e përbashkët) i të gjitha organizatave sindikale në nivel vendi, ku do të diskutohej për tejkalimin e kësaj gjendjeje dhe secili prej tyre do ta shprehte mendimin e tij, lidhur me mënyrën e integrimit të tyre në BSPK dhe si mund të shkohet në drejtim të unifikimit.

“Epoka e re”: Për këtë çështje ju keni biseduar edhe me përfaqësuesin e Konfederatës Evropiane të Sindikatave, z. Seideneck.
Thaçi: Me z. Seideneck kemi biseduar për problemet me të cilat ballafaqohen sindikatat, pafuqinë e tyre sindikale, për mënyrën se si mund të dalim nga kjo gjendje dhe si të gjendet një strategji e unifikimit të organizimit sindikal.

“Epoka e re”: Nga deklarimet e tij publike z. Seideneck ishte i pakënaqur me organizimet sindikale, pse?
Thaçi: Shqetësimi i tij i parë ishte gjendja jo e mirë e organizimeve sindikale, mosunifikimi, përçarjet brenda tyre etj. Ai propozoi të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë në mënyrë që të gjitha sindikatat të jenë pjesë e BSPK-së dhe nëpërmjet saj ato të përfaqësohen në organizmat ndërkombëtarë sindikalë. Në të kundërtën, do të jetë shumë vështirë integrimi individual i sindikatave në këtë organizëm.

“Epoka e re”: Me z. Seideneck keni biseduar për rolin tuaj sindikal në RTK?
Thaçi: Po, e kam njoftuar për gjendjen dhe kushtet e punëtorëve, raportet në partneritet me menaxhmentin në gjetjen e zgjidhjeve problemeve që mund t'i kenë punëtorët gjatë punës së tyre. Dhe, si rezultat i partneritetit, gjatë këtij viti kemi pasur një ngritje të pagave për afër 10 % në nivel të RTK-së, në të njëjtën kohë ne i kemi dorëzuar tri propozime për vitin 2014 tek menaxhmenti, propozime këto që janë në interesin e punëtorëve të RTK-së.

“Epoka e re”: Shpresoni që në vitin që vjen do të ketë unifikim të sindikatave?
Thaçi: Viti 2014 të jetë, mendoj unë, vit i unifikimit të organizatave sindikale brenda shtëpisë së BSPK-së, me qëllim të prezantimit sa më dinjitoz të tyre në organizmat ndërkombëtarë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)