Tërmeti dhe cunami, goditën edhe ekonominë e Japonisë
Tokio, 13 mars - Tragjedia që shkaktoi ndërprerjen e prodhimit të markave gjigande të Japonisë, tronditi edhe tregjet e botës.
Japonia, ekonomia e tretë më e madhe në botë, që shpëtoi nga ndikimi i krizës ekonomike globale dhe filloi të rritet përsëri, këtë herë u godit nga tërmeti dhe cunami.
Shumë komplekse industriale të gjigandëve të Japonisë të famshëm në tërë botën, që gjendeshin në zonën e tërmetit, pësuan dëmtime.
Ndërsa prodhimi ndaloi. Firmat janë duke punuar për të përcaktuar nëse ka apo jo të humbur nga personeli i tyre që gjendej atje në detyrë gjatë tragjedisë.
Jeni ka humbur vlerë kundrejt dollarit dhe ka arritur nivelin më të ulët të dy javëve të fundit.
Bursa e Tokjos që kohët e fundit është ndikuar negativisht nga trazirat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në mbyllje arriti nivelin më të ulët të 5 javëve të fundit.
Edhe bursat e tjera të Azisë e mbyllën ditën me rënie.
Për shkak se tërmeti në Japoni ndodhi në kohën e mbylljes së bursës, pritet që ndikimi të duket më qartë ditën e hënë.
Ndërkaq Banka Qendrore e Japonisë, deklaroi se për të tejkaluar shqetësimet në tregun financiar të krijuara nga tërmeti, po bëjnë çdo lloj përpjekje për të vendosur stabilitet.