Teb Banka kërkon para nga fituesit e Lojërave shpërblyese
Prishtinë, 18 maj - Banka Teb nga fituesit e lojërave shpërblyese që i organizon, ka kërkuar para shtesë për ta rezervuar biletën kthyese Prishtinë-Stamboll.
Fituesit ose janë detyruar të paguajnë, ose janë detyruar ta ndryshojnë datën e rezervimit, jashtë rregullave të lojës. Muharrem Saraxholli:
Banka Teb organizon lojëra shpërblyese për të fituar bileta kthyese në linjën Prishtinë - Stamboll me aeroplan. Mirëpo, qytetarët të cilët kanë fituar këto shpërblime, ndjehen të mashtruar, sepse iu është kërkuar pagesë shtesë për të tërhequr biletën. Një fitues i biletës kthyese, konfirmoi për Radio Kosovën se është detyruar të paguante para, ndryshe nuk i jepnin biletën.
Kam shkuar e kam tërheqë kuponin fitues në zyrën kryesore të Teb-it, pastaj kam shkuar te Pegasusi dhe aty më kanë treguar se për tu pajisur me biletë, duhet të kushtojë maksimum 100.00 euro. Secila pagesë ekstra vlen nga ana ime. Në rastin tim, agjencia i ka marrë 20.00 euro ekstra, tha se duhet të paguhet një ekstra çmim për ata që e marrin biletën për fitime, tha ky fitues.
Fituesi në fjalë thotë se kishte shikuar çmimet online të biletës, e cila në realitet nuk kushtonte më shumë se 90.00 euro.
Banka Teb në përgjigjen elektronike përmes zëdhënësit Driton Latifi, thotë se klientët të cilët kanë kërkuar nga Pegasus që fluturimi të bëhet para afatit 1 mujor, që i bie jashtë rregullave të përcaktuara të lojës, Pegasus atë kupon e ka pranua si vlerë 100.00, ndërsa nëse bileta ka qenë më e shtrenjtë, atëherë kjo çështje ka mbetur të rregullohet ndërmjet klientit dhe Pegasusit. Banka Teb poashtu thotë se nëse klientët iu kanë përmbajtur kriterit të kampanjës, atëherë Pegasus nuk i ka ngarkuar me ekstra shpenzime këta klient.
Mirëpo, të pronocuarit për Radio Kosovën, thonë se iu janë përmbajtur plotësisht rregullave të lojës. Kështu thotë edhe një fituese tjetër e lojës shpërblyese, të cilës poashtu i janë kërkuar para, ose ta ndryshonte datën jashtë rregullave të lojës.
Në agjencinë Pegasus, mi kërkuan edhe 20.00 euro shtesë, ndryshe nuk do të mund ta tërhiqja biletën. Bileta kthyese për mua, sipas tyre kushtonte 120.00 eu, prandaj më kërkuan ti shtoja edhe 20.00 euro. Më thanë se kështu kishin veprua edhe me të tjerët, në raste kur shuma e biletës e kishte tejkaluar vlerën prej 100 eurosh., tha për Radio Kosovën një fituese.
Është edhe një fitues tjetër i cili përmes komunikimit elektronik, na njoftoi për maltretimet që i janë bërë për ta tërhequr biletën. Atij i kishin kërkuar mbi 30 euro shtesë të paguante. Pasi nuk kishte bërë pagesën, pas disa ditësh i janë kërkuar gati dyfishi i asaj shume.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) përmes pyetjeve tona është njoftuar për këto ankesa të klientëve. Prandaj, BQK do të verifikoj praktikat që TEB Banka i ka ndjekur në fushatën e marketingut. Zëdhënësi Besnik Kada, thotë se në rastet kur BQK-ja konstaton shkelje nga ana e bankave, do të ndërmerr masa ndëshkuese të parapara me legjislacionin në fuqi. BQK ka themeluar edhe divizionin për trajtimin e ankesave të klientëve të shërbimeve financiare.
/rtk/