20 Nëntor 2024

Të zgjerohet fushëveprimi i Projektligjit për Sponsorizime dhe Donacione

Prishtinë, 17 korrik - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Forumin për Iniciativa Qytetare, organizuan Tryezën e Rrumbullakët për të diskutuar rreth projektligjit për sponsorizime dhe donacione të inicuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Kjo tryezë mblodhi rreth vetes përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve dhe kompanive që veprojnë në Kosovë dhe njëkohësisht përfaqësues të institucioneve relevante shtetërore.

Në hapje të tryezës, Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, theksoi se projektligji në fjalë i cili është zvarritur tej mase, ka rëndësi tejet të veçantë, sidomos duke pasur parasysh situatën dhe gjendjen e vështirë me të cilën ballafaqohet kultura, sporti dhe rinia në vend.

Ndërkaq, Erolld Belegu, President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, tha se Oda Amerikane ka qenë e përfshirë në draftimin e projektligjit për sponsorizime dhe donacione, proces ky që ka qenë i karakterizuar me vonesa dhe shtyrje të vazhdueshme.

Ai shtoi se bazat e ligjit jane te mira, mirëpo ai duhet të jetë më gjithëpërfshirës dhe të përmbajë më shumë lehtësira fiskale, duke shtuar se implikimet buxhetore nuk do të ishin aq të mëdha, ashtu sic është parashikuar.

Ai shtoi se projektligji i propozuar si i tillë nuk i shërben asnjë qëllimi, meqenëse nuk përmban dispozita që do të rregullonin lehtësirat tatimore dhe që do të inkurajonin bizneset të kontribuonin në zhvillimin e sportit, kulturës dhe rinisë në vend përmes donacioneve dhe sponsorizimeve.

Dajana Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, sqaroi se rëndësia e këtij ligji rritet edhe më tej kur merret parasysh fakti që interesimi i komunitetit të donatorëve për Kosovën është në rënie, dhe duhet mobilizuar bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë më aktivisht në zhvillimin e sferave të ndryshme.

Ajo gjithashtu theksoi se është me rëndësi që fushëveprimi i ligjit të zgjerohet dhe të mos jetë i kufizuar vetëm në kulturë, rini dhe sport, dhe se duhet përfshirë edhe stimujt fiskal në projektligjin në fjalë.

Nga ana e institucioneve të vendit, Jehona Shyti, Këshilltare e Lartë Politike e Ministrit të Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, theksoi se edhe ministria gjithnjë ka qenë e interesuar që ligji të procedohet më tutje, por ka ngecur në instanca tjera.

Shyti shtoi se përkundër faktit se buxheti i Ministrisë së Kulturës është rritur dukshëm gjatë viteve të fundit, nga 11 milionë në 20 milionë, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për të mbështetur të gjitha aktivitetet në fushat e lartpërmendura, dhe se për këtë nevojitet që projektligji duhet të përpunohet edhe më tej, në aspekt të dispozitave për lehtësira tatimore dhe përcaktimit të masave kontrolluese për aplikimin e drejtë të ligjit.

Në anën tjetër, Qerkin Berisha nga Ministria e Financave, tha se fajtori kryesor për ngecjen e këtij projektligji është fakti se kjo fushë është e rregulluar përmes ligjeve tatimore në fuqi, dhe ka rrezik që projektligji të bie ndesh me ligjet ekzistuese.

Ai gjithashtu diskutoi mbi rëndësinë e analizimit të kostove të projektligjit dhe analizës së projektligjit në aspekt mikrofinanciar.

Lidhur me vlerat e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatave (PShK) dhe ndërlidhjen e tyre me projektligjin për sponsorizime dhe donacione, Lekë Musa theksoi se koncepti i PShK-së është pak më ndryshe krahasuar me qasjen e diskutuar në tryezë.

Duke sqaruar faktin se PShK-ja më shumë adreson investimet e kompanive me vullnet të mirë në komunitet dhe shoqëri, ai shtoi se stimujt fiskal janë të domosdoshëm për të inkurajuar kompanitë që të rrisin sponsorizimet dhe donacionet në fusha të ndryshme.

Musa gjithashtu shtoi se numri i bizneseve që kanë përfituar nga legjislacioni në fuqi në aspekt të lehtësirave tatimore është shumë i vogël, përkundër faktit se ka një numër të madh të kompanive që përfshihen në aktivitete të tilla.

Për fund, pjesëmarrësit e tjerë nga shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit patën rastin të shpalosin idetë dhe rekomandimet e tyre mbi këtë temë.

Konkludim i përbashkët i kësaj tryeze ishte ritheksuan rëndësia e përpilimit të një ligji më cilësor që do të inkurajonte rritjen e sponsorizimeve dhe donacioneve, përmes përfshirjes së lehtësirave tatimore në ligj, dhe përmes rregullimit më të drejtë të masave të kontrollit, gjithnjë duke pasur konsideratë dhe vëmendje në ligjet aktuale në fuqi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)