Të vendosura për lirimin e të gjitha pronave shoqërore nga uzurpuesit
Prishtinë, 26 maj - Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se që nga marrja e vendimit nga Agjencia për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga poseduesit dhe shfrytëzuesit e paligjshëm ka arritur të bëjë lirimin e rreth 130 aseteve nga shfrytëzuesit joligjor.
Gjithë rezultati i arritur është mundësuar me mbështetje të plotë të Policisë së Kosovës, e cila me kërkesë të AKP-së po asiston në aksione në terren sipas nenit 26 të ligjit të AKP-së si dhe vendimeve të Prokurorive kompetente.
Vendimi për lirimin e aseteve nga shfrytëzuesit e paligjshëm është marrë nga Agjencia, në përputhje me Ligjin e AKP-së nr. 04/L-034, i cili ligj i jep autorizim Agjencisë që të administroj me të gjitha asetet në pronësi shoqërore në territorin e Republikës së Kosovës.
AKP, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës shprehin vendosmërinë për të vazhduar me lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim dhe siguron se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet, në përputhje me vendimin bazuar në mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Referuar kërkesës së AKP-së, adresuar Policisë së Kosovës për dhënie të asistencës policore në lirimin e disa objekteve në Veri të Mitrovicës e cila ka qenë e paraparë për realizim sot 26.05.2016, e njëjta paraprakisht është shtyrë për realizim dhe kjo është bërë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë në mes të AKP-se dhe Policisë së Kosovës.
Andaj referuar bashkërendimeve ndërinstitucionale të planifikuara me kohë dhe të bëra pas adresimit të shkresës së dt.18 maj 2016, njoftojmë opinionin e gjerë se nuk ka pasur planifikim të realizimit të ndonjë operacioni sot dhe nuk bëhet fjalë për dështim të shtetit apo institucioneve gjegjëse, siç potencohet në disa shkrime të portaleve të ndryshme.
AKP, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ditëve të ardhshme do të ndërmerren veprime me mbështetjen e plotë të Policisë së Kosovës për lirimin e të gjitha pronave shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.