Të thellohet bashkëpunimi në mes të OEK-ut dhe OEMVP
Prishtinë, 7 mars - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu është takuar sot në Prishtinë me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore Nebi Hoxha me të cilin ka biseduar lidhur me thellimin e bashkëpunimit në mes të dy Odave dhe dy vendeve në lëmine e ekonomisë dhe realizimin e projekteve me interes për zhvillimin e bizneseve në të dy anët e kufijve në hapësirën shqip folëse.
U bisedua për çështjet të rëndësisë së veçantë për bashkëpunim dhe i theksua nevoja e takimeve dhe dialogut dhe bashkërenditjes së aktiviteteve të dy Odave.
Gjithashtu dy asociacionet e biznesit të Kosovës dhe Maqedonisë Veri Perëndimor u morën vesh për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me qëllim thellimit të partneritetit përmes të këmbimit të informatave, organizimit të panaireve dhe misioneve tregtare si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni dhe aktivitetet për promovimin e investimeve dhe produkteve të Kosovës dhe Maqedonisë.
Posaçërisht është biseduar edhe aplikimin e përbashkët në projektet e financuara nga donatorë me theks të veçantë në projektet e Komisionit Evropian.
Ratifikimi i marrëveshjes ndërshtetërore për lëvizjen e lirë dhe kalimin e kufirit me letërnjoftime ishte temë e bisedës dhe u insistua që kjo marrëveshje të jetësohet sa më shpejte, pasi që e lehtëson dukshëm kalimin e kufirit në mes të dy vendeve dhe i kontribuon lëvizjes së lirë.
U kërkuar fillimi konkret i punëve në ndërtimin e autostradës Shkup Elez Han dhe lidhja e saj me atë Prishtinë Elez Han me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për transportin e njerëzve dhe mallrave. Në këtë drejtim u kërkuan aktivitete konkrete në modernizimin e infrastrukturës në linjën hekurudhore Shkup Fushë Kosovë.
Përfaqësuesit e OEMVP përmendën nevojën e krijimit të një terminali doganor në kufirin Kosovë Maqedoni në territorin e komunave të regjionit të Tetovës si dhe u përmend nevoja e përshpejtimit të procedurave të projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë Prizren, përmes maleve të Sharrit.
U vlerësua se mundësitë për bashkëpunim ne mes te këtyre dy asociacioneve dhe vendeve janë shumë të mëdha dhe janë kontribut i drejtpërdrejtë në proceset integruese evropiane.