“Të rinjtë në Agrobiznes - Regjioni Eknomik Lindor”, projekt me rëndësi për Gjilanin
Gjilan, 10 tetor – Është prezantuar sot projekti “Të rinjtë në Agrobiznes- Regjioni Eknomik Lindor”, i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me 11 komunat e regjionit lindje.
Duke folur për këtë program, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se qëllimi kryesor i projektit është që të krijoj punësim fitimprurës dhe gjenerim të të ardhurave për të rinjtë e këtij regjioni.
“Ky është njëri nga programet kryesore i Bashkimit Europian në sektorin e lindjes. Duke qenë se agrobiznesi është është baza e zhvillimit lokal ekonomik, unë shpresoj shumë që për 22 muaj sa zgjatë ky projekt, t’i arrijmë objektivat për të përfituar rinia e këtij regjioni”, ka thënë Haziri.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ai i Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe përfaqësuesit e komunave tjera, kanë falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e këtij takimi të përbashkët, duke ofruar bashkëpunim të plotë në implementim të këtij programi.
Ata theksuan se Gjilani është shndërruar ne epiqendër të regjionit sa i përket projekte të BE’së.
Ndërkohë, Rrezarta Jakupi, konsulente e kontraktuar prej Komunës së Gjilanit, pohoi se rezultat i këtij projekti do të jetë rritja e punësimit të punëkërkuesve, duke i përgatitur ata për profesionet e kërkuara në treg, përmirësimin e lidhjes mes punëkërkueve dhe punëdhënësve për të siguruar përputhjen mes ofertes dhe kërkesës në fushën e agro-përpunimit.
Në kuadër të projektit, është paraparë themelimi i inkubatorit të agrobiznesit në regjionin ekonomik lindor, 50 trajnime në agropërpunim dhe ushqim, 50 trajnime në prodhimin e serrave dhe operimit me fidanet, 100 trajnime të të rinjve për mediat sociale për agrobiznes dhe agro-marketing me fokus themelimin e agro-ndërmarrëve të rinjë, 250 persona të certifikuar në aftësimin profesonal dhe të trajnuar në agrokulturë, sikurse edhe 100 praktika të kontraktuara nga ndërmarrjet agropërpunuese.