Të riatdhesuarit kanë probleme për punësim
Mitrovicë, 12 qershor - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në një takim me anëtarët e grupit punues për monitorimin e zbatimit të Ligjit për ripranim nga Kuvendi i Kosovës tha se Komuna e Mitrovicës i ka përmbushur të gjitha kërkesat që ka për të riatdhesuarit, por problem mbetet punësimi.
Anëtarët e këtij grupi qëndruan në Mitrovicë dy herë brenda pak ditësh. Në përgjithësi u shprehën të kënaqur me punën e komunës, por thanë ka disa problem që duhet të zgjidhen nga institucionet qendrore të kyçura në këtë proces.
Në këtë kuadër u përmend nevoja që të thjeshtësohen procedurat që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të të kthyerve.
Për këtë foli deputetja Alma Lama, e cila tha se kjo duhet të bëhet nga ministritë përgjegjëse. Ky thjeshtësim do të duhej të bëhej nga ana e ministrive dhe do të jetë një nga rekomandimet e këtij komisioni.
Ndërsa, deputetja Vjosa Osmani, tha se përkundër përpjekjeve problemi është që për vite me radhë Komisioni Evropian po i sheh po të njëjtat sfida. Qëllimi ynë është të monitorojmë se ku janë ato probleme, tha ajo.
Zyrtarët komunalë sqaruan se në vitin 2013 janë kthyer 20 familje, ndërsa prej vitit 2011 e deri me tani rreth 300 familje.