10 Maj 2024

Të mërkurën debatohet lidhur me procesin e privatizimit

Prishtinë, 24 shtator - Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Kryesisë, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, i ka njoftuar të pranishmit me kërkesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, që debati  parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë të shtyhet për 11 tetor.

Pas një debati të gjatë për arsyeshmërinë e kërkesës  së ministrit dhe për kohën e mbajtjes së seancës për këtë temë, me gjithë këmbënguljen e përfaqësuesve të Vetëvendosjes që debati të zhvillohet këtë javë, me shumicë votash është vendosur që të mërkurën, më 3 tetor, të debatohet lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Të enjten, ndërkaq, do të mbahet një seancë tjetër e rregullt, e cila, për shkak të rendit të ngjeshur të ditës, mund të zgjasë më shumë se një ditë.

Pas pikave të përhershme: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe  pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët në këtë seancë do të votojnë Raportin vjetor të performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011, kurse në vazhdim do të procedojnë me projektligjet.

Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për pagat e funksionarëve publik, Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, Projektligji për provimin e jurisprudencës, si dhe Projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Në të njëjtën seancë do të  shqyrtohen: Raporti i Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Universitetit të Prishtinës (për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2011), Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Arsim, Kulturë, Shkencë, Teknologji, Rini dhe Sport lidhur me Statutin e Universitetit të Prishtinës.

Në vazhdim të seancës është paraparë debati  parlamentar lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës (sipas kërkesës së deputetes Alma Lama, mbështetur edhe nga shtatë deputetë  të tjerë) si dhe Interpelanca e ministrit, Enver Hoxhaj (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së), lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës. Kuvendi, ndërkaq, ende nuk e ka marrë konfirmimin e ministrit Hoxhaj për këtë interpelancë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)