20 Nëntor 2024

Të hyrat nga TVSH-ja, 418.93 milionë euro

Prishtinë, 29 korrik - Sipas Raportit Vjetor 2012 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të hyrat buxhetore, pa përfshirë pranimet nga donatorët dhe fondet në mirëbesim, në vitin 2012 kanë shënuar rritje vjetore prej 18-përqindësh, ndërsa si rrjedhojë e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), raporti i të hyrave buxhetore ndaj vetë PBB-së është zvogëluar në 30.6 për qind krahasuar me raportin prej 37-përqindësh një vit më parë.

Kategoritë të cilat ndikuan në akumulimin e të hyrave buxhetore, sipas Raportit Vjetor të BQK-së, janë: TVSH-ja në kufi dhe brenda vendit, tatimi në korporata, tatimi në të ardhura.

Ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave nga tatimet në kufi përbëhet nga kategori si të hyrat nga banderolat, akciza e brendshme, të hyrat nga dënimet etj., të cilat së bashku arritën vlerën prej 16.9 milionë eurosh dhe kishin pjesëmarrje prej 2 për qind, në gjithsej të hyrat buxhetore. “Të hyrat e mbledhura nga tatimet në kufi përfaqësojnë kategorinë me pjesëmarrjen më të lartë në kuadër të gjithsej të hyrave buxhetore (57.6 për qind).

Megjithatë, pjesëmarrja e të hyrave nga tatimet kufitare u zvogëlua për 8.5 Pikë Përqindje (PP), si rrjedhojë e rritjes së kategorive të tjera apo krijimit të kategorive të reja në kuadër të të hyrave buxhetore”, është thënë në raportin e BQK-së.

Ndërsa sipas këtij raporti, ngadalësimi i normës së rritjes së të hyrave kufitare në vitin 2012 erdhi kryesisht si pasojë e rënies së importeve (nominalisht prej 1.0-përqindësh), si dhe rënies së çmimeve të disa nga kategorive më të rëndësishme, si të metaleve bazë dhe produkteve minerale.

Megjithatë, sipas raportit, TVSH-ja në kufi përfaqëson kategorinë kryesore në kuadër të të hyrave kufitare me pjesëmarrje 49.6 për qind. Por, për dallim nga viti i kaluar, TVSH-ja në kufi në vitin 2012 kishte arritur një rënie prej 0.1-përqindësh.

“Të hyrat nga TVSH-ja në kufi në vitin 2012 u zvogëluan për 0.1 për qind dhe arritën vlerën prej 418.93 milionë eurosh, zvogëlim ky që përsëri mund t’i atribuohet rënies së importeve”, është bërë me dije në raportin e BQK-së.

Po sipas këtij raporti, kategoria e dytë me ndikim më të lartë në kuadër të akumulimit të të hyrave buxhetore përbëhet nga të hyrat e mbledhura nga akcizat, të cilat përfaqësojnë 34.5 për qind të gjithsej të hyrave kufitare. “Vlera e të hyrave nga akciza shënoi rritje të konsiderueshme prej 45.6 për-qindësh, duke arritur vlerën prej 291.3-milionësh euro”, është thënë në raport.

Por, të hyrat nga taksat doganore kanë shënuar një rënie të konsiderueshme, me ç’rast, sipas raportit, vlera e rënies të të hyrave doganore kap shumën prej 42.8-përqindësh dhe arritën vlerën prej 117.72 milionë eurosh.

“Ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave nga tatimet në kufi përbëhet nga kategori si të hyrat nga banderolat, akciza e brendshme, të hyrat nga dënimet etj., të cilat së bashku arritën vlerën prej 16.9 milionë eurosh dhe kishin pjesëmarrje prej 2-përqindësh, në gjithsej të hyrat buxhetore”, është thënë në raportin vjetor të BQK-së.

Kurse të hyrat nga tatimet vendore gjatë vitit 2012, sipas raportit, kanë shënuar rritje nga 261.13 milionë eurosh në vitin 2011, në 283. 91 milionë euro deri në fund të vitit 2012.

“Ngjashëm me TVSH-në në kufi, TVSH-ja e mbledhur brenda vendit përfaqëson kategorinë kryesore në kuadër të tatimeve vendore, me pjesëmarrje 45.6 për qind.

Të hyrat nga TVSH-ja arritën vlerën prej 129.58-milionë eurosh, duke shënuar rritje prej 6.7-përqindësh”, është treguar në raportin e BQK-së.

Kurse në kategorinë e dytë për akumulimin e të hyrave buxhetore bëjnë pjesë tatimi në të ardhurat e korporatave që, sipas raportit, janë gjeneruar 62.68 milionë euro (rritje vjetore prej 14.9-përqindësh).

“Njëherësh, të hyrat nga tatimi në korporata kontribuuan më së shumti në rritjen e gjithsej të hyrave nga tatimet vendore, me 14. 9pp”, është thënë në raport.

Pjesëmarrëse afërisht të ngjashme, sipas raportit, ishin edhe të hyrat nga tatimi në të ardhura, prej të cilave u gjeneruan 60.1 milionë euro.

Të hyrat nga kjo kategori kanë shënuar normë të rritjes vjetore prej 8-përqindësh. Kategori tjetër e cila ndikon në akumulimin e të hyrave buxhetore, në kuadër të tatimeve vendore, sipas raportit, janë të hyrat nga bizneset individuale, të cilat janë rritur për 9.1 për qind, duke arritur vlerën prej 25.93 milionë eurosh.

“Pjesë e të hyrave buxhetore jotatimore janë edhe të hyrat vetjake, që gjenerohen nga niveli qendror dhe ai komunal. Në vitin 2012 nga niveli qendror u gjeneruan 44.83 milionë të hyra jotatimore apo 25.2 për qind më pak se në vitin 2011.

Të hyrat nga niveli qendror kryesisht gjenerohen nga kategori si të hyrat nga licencat, nga participimet e ministrive dhe institucioneve të tjera, inspektimet etj.”, është thënë në raportin e BQK-së.

Ndërsa sipas këtij raporti, transferimi nga dividenda e PTK-së po ashtu ka shënuar një rënie në vitin 2012, me ç’rast ishin transferuar 45 milionë euro në buxhetin e Kosovë, për dallim nga viti 2011, me ç’rast ishin transferuar 60 milionë euro.

Të hyra buxhetore, po sipas raportit, ka pasur dhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe nga kthimi i huazimeve nga ndërmarrjet publike. “Në vitin 2012 gjithashtu u realizuan edhe 28.93 milionë euro të hyra nga financimi i njëhershëm i AKP-së.

Gjithashtu, për herë të parë në buxhetin e Kosovës u realizuan edhe katër milionë euro nga kthimi i huazimeve nga ndërmarrjet publike”, është bërë me dije në Raportin Vjetor 2012 të Bankës Qendrore të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)