Të hyrat në periudhën janar-maj u rritën me 3.4%
Prishtinë, 30 qershor - Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, Ministri i Financave Avdullah Hoti ka prezantuar raportin për të hyrat dhe shpenzimet për periudhën Janar-Maj 2017. Ai ka bërë të ditur se të hyrat kanë shënuar rritje prej 3.4% apo 20.8 milion euro, krahasuar me periudhën e vitit paraprak.
Sipas ministrit Hoti, të hyrat vendore u rritën për 6.7 % apo 11 milion, ndërsa të hyrat në kufi prej 2.8% apo 10 milion euro. Të hyrat vetanake kanë regjistruar rritje prej 6.8%, ndërsa të hyrat nga niveli lokal tejkaluan planin e parashikimeve për 4.4 mil euro apo 15.9% më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak.
Ai bëri të ditur se të hyrat tjera jotatimore kanë regjistruar performancë pozitive, ku të hyrat nga tantiema kanë arritur në 15.9 milion euro, ndërsa taksa koncesioneve 3.7 milion euro.
Sa i përket shpenzimeve, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se ato kanë shënuar rritje prej 8.9%. Kjo rritje ka ardhur nga rritja e shpenzimeve kapitale, pasuar nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve. Shpenzimet totale gjatë kësaj periudhe janë ekzekutuar me normë prej 99.7%.
Ministri Hoti gjithashtu informoi kabinetin qeveritar se në bazë të analizave të Ministrisë së Financave, deri në fund të vitit pritet të ketë mungesë të mjeteve buxhetore për skemat sociale, për autostradën Prishtinë Hani Elezit dhe për zgjedhjet lokale. Ai gjithashtu theksoi se duhet të shlyejmë borxhin lidhur me pasaportat ndaj operatorit austriak në shumën 5.3 milionë eurove.