Të hyrat në gjashtëmujorin e parë arrijn në 649.76 milion euro
Prishtinë, 1 gusht - Bazuar në ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ministri i Financave Bedri Hamza, ka prezantuar sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës, raportin financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012.
Ministri Hamza paraqiti një përmbledhje të raportit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, për të hyrat dhe shpenzimet, duke i pasqyruar të dhënat në formë analitike dhe krahasuese me vitin paraprak.
Të hyrat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, janë 649.76 milion euro dhe paraqesin 42.3% të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara, ndërsa kemi një rritje prej 12 %, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak.
Ndërsa, sa i përket shpenzimeve, Ministri Hamza, tha se Shpenzimet gjatë këtij gjashtëmujori, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 625.60 milion euro dhe paraqesin 40% të planit të përgjithshëm vjetor.
Ministri Hamza, njoftoi se Si rrjedhim nga mbledhja më e madhe e te hyrave në krahasim me pagesat bilanci primar është rritur për 25.26 milion euro deri me 30 Qershor 2012.
Ai ka shtuar se Bilanci bankar reflekton ruajtjen e fondeve nga viti paraprak dhe gjendja e mjeteve në llogaritë bankare të Buxhetit te Republikës se Kosovës me 30 Qershor , 2012 është 231.94 milion euro .