Të hyrat buxhetore shënuan rritje prej 8.7 për qind
Prishtinë, 12 gusht - Ministri i Financave Avdullah Hoti sot në mbledhjen e Qeverisë prezantoi Raportin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën janar - korrik 2015, i cili u miratua nga Qeveria.
Në Raportin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën janar - korrik 2015 rezulton se gjatë kësaj periudhe të hyrat buxhetore janë rritur me 8.7% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014 të shtyra kryesisht nga të hyrat tatimore.
Vlera e arkëtuar e të hyrave nga taksat kufitare përgjatë kësaj përudhe ka regjistruar 498.2 milionë euro apo 7.4% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Përveç rritjes së sasisë së importit, kësaj rritjeje i ka kontribuuar edhe rritja e normës së akcizës në disa produkte dhe rritja e importit të tyre.
Këtu mund të veçojmë rritjen prej mbi 6% të importit të cigareve gjatë periudhës janar-korrik, si dhe rritjen prej 16% të importit të naftës përgjatë kësaj periudhe. Megjithatë, rritja e konsiderueshme e importit në përgjithësi ka kontribuar në rritjen e përgjithshme të të hyrave të arkëtuara në kufi.
Të hyrat e arkëtuara në vend për këtë periudhë regjistruan rritje prej 9.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014 dhe arritën vlerën prej 198.4 milionë euro.
Ndërsa, të hyrat vetanake të komunave kanë regjistruar rënie prej 14.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Këtij trendi i ka kontribuar paralajmërimi për faljen e borxheve gjë që mund të ketë shtyrë tatimpaguesit e tatimit në pronë të presin implementimin e Ligjit mbi faljen e borxheve.
Të hyrat tjera jo-tatimore në përgjithësi kanë shfaqur realizim të kënaqshëm në raport me parashikimin për këtë periudhë.
Sipas raportit, shpenzimet buxhetore kanë regjistruar një rritje prej 3.7% si rezultat i efektit të plotë të rritjes së pagave për shërbyesit civil dhe të pensioneve për kontribut-dhënës, pensioneve bazë dhe transfereve tjera të financuara nga shteti në muajin prill të vitit 2014.
Në ngadalësimin e rritjes së shpenzimeve ka ndikuar ekzekutimi i ulët i shpenzimeve kapitale dhe kursimet në kategorinë e shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Shpenzimet në paga dhe mëditje arritën vlerën prej 302.7 milionë euro apo 9.34% më të larta se sa shpenzimet në këtë kategori për periudhën e njëjte të 2014-tës, ndërsa shpenzimet në mallra dhe shërbime gjatë periudhës janar-korrik arritën vlerën prej 101.8 milionë euro vlerë kjo që korrespondon me një rënie prej 8.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit, si dhe shpenzimet në subvencione dhe transfere arritën vlerën prej 229.6 milionë euro apo 16.9% më të larta krahasuar me vitin 2014.