Të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro më të ulëta shkaku i pandemisë
Prishtinë, 14 qershor - Instituti GAP sot publikoi raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në buxhetin e Kosovës”.
Qëllimi i këtij raporti është që të paraqes ndikimin e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 në të hyrat, shpenzimet dhe deficitin fiskal të vitit 2020, si dhe kufizimet dhe mundësitë që ka Qeveria e Kosovës për adresimin e krizës në aspektin buxhetor.
GAP thekson se në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro (28.2%) më të ulëta së në periudhën e njëjtë të vitit parapak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro (1%) më të ulëta.
Rënia e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve sipas GAP do të bëjë që për herë të parë të tejkalohet rregulla e deficitit buxhetor.
Me gjithë rritjen e deficitit, Kosova pritet ta ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon.
"Edhe pse është planifikiuar rritja e shpenzimeve, kategoria e investimeve kapitale si një kategori e cila ndihmon në rritje më të shpejt ekonomike, pritet të ketë një rënie të theksuar krahasuar me planifikimin", vlerëson GAP.
Ndërsa sic thekson GAP kryesisht për shkak të nevojës për ndihmë ndaj sektorit privat, ka një rritje të theksuar të subvencioneve.
Megjithëse e nevojshme, rritja e subvencioneve si një nga kategoritë më pak të rregulluara ligjërisht, mund të krijojë hapësirë për abuzim të parasë publike.
"Për të adresuar situatën ekonomike dhe sociale të krijuar si pasojë e masave për ndaljen dhe kufizimin e punës së shumicës prej bizneseve në sektorin privat, Qeveria e Kosovës miratoi një Pako Emergjente Fiskale me vlerë prej 179.6 milionë euro", thotë GAP.
Kjo pako përmban kryesisht masa afatshkurta për adresimin e problemeve të shkaktuara nga COVID-19.
Në programin qeverisës 2020-2023, Qeveria e Kosovës ka paraparë edhe një pako të dytë për Rimëkëmbje Ekonomike ku brenda dy vitesh (2020-2021) planifikon të moblizojë rreth 1.2 miliardë euro.
Për shkak të kufizimeve ligjore, Pako Emergjente Fiskale dhe ajo e Rimëkëmbjes sipas GAP nuk do të mund të menaxhohen tërësisht pa përfshirjen e Kuvendit të Kosovës.
"Përveç nevojës për aprovim të Kuvendit për çdo transfer që tejkalon 25% të një ndarje buxhetore të institucionit përkatës, përfshirja e Kuvendit do të nevojitet edhe për miratim të marrëveshjeve të reja kreditore me 2/3 e votave të deputetëve."
"Në rast të mosaprovimit të marrëveshjeve kreditore, shpenzimet publike do të bien dhe kjo do të ndikojë në rënie të mëtutjeshme ekonomike", thotë në fund GAP.