Të hyrat buxhetore arritën vlerën prej 662.0 milionë eurosh
Prishtinë, 7 shtator - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se të hyrat primare buxhetore deri në qershor 2015 arritën vlerën bruto prej 662.0 milionë eurosh.
Nëse përjashtohen 15 milionë euro kthime të TVSH-së dhe tatimeve të tjera nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, atëherë të hyrat primare buxhetore shënojnë vlerën neto prej 647 milionë eurosh,, që paraqet një rritje vjetore prej 7.3-përqindësh, është thënë në raportin e Vlerësimit Tremujor të Ekonomisë të BQK-së.
Sipas Raportit të BQK-së, në të njëjtën periudhë shpenzimet primare buxhetore arritën vlerën prej 660 milionë eurosh, që paraqet rritje prej 5.6-përqindësh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar prej rreth 13 milionë eurosh krahasuar me deficitin primar prej rreth 22 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka njoftuar BQK-ja. (A. M)