Të hyrat buxhetore arrin në 273.1 milionë euro
Vlera e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore arriti në 254.7 milionë euro që paraqet rënie vjetore prej 9.0 përqind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës në TM1 2014 regjistroi suficit prej 18.4 milionë euro. Ekzekutimi i shpenzimeve të planifikuara deri në mars 2014 arriti në mbi 16 përqind të planit për vitin 2014, ndërkohë që realizimi i të hyrave buxhetore ishte më i lartë se sa i shpenzimeve duke arritur në rreth 19 përqind të planit për vitin 2014, ka njoftuar BQK-ja.
Sa i përket strukturës së të hyrave buxhetore, është shënuar rritje e të hyrave të mbledhura në kufi të cilat shënuan rritje vjetore prej 12.1 përqind dhe kanë arritur nivelin bruto prej 165.5 milionë euro. Rritja e të hyrave të mbledhura në kufi, deri në një masë, reflekton rritjen e kontrolleve në të gjitha pikë-kalimet kufitare dhe përmirësimin e kualitetit të vlerësimit të mallrave me rastin e zhdoganimit të tyre.
Përveç të hyrave të mbledhura në kufi, edhe të hyrat vendore kanë shënuar rritje prej 2.9 përqind dhe kanë arritur nivelin bruto prej 75.0 milionë euro. Kjo rritje e të hyrave vendore është rezultat i ngritjes së efikasitetit të ATK-së në mbledhjen e të hyrave dhe lehtësimit të procedurave për deklarimin dhe pagesën e obligimeve tatimore por edhe i rritjes së aktivitetit ekonomik në vend, thuhet në raportin e BQk-së.
Sa i përket shpenzimeve, të gjitha kategoritë shënuan rënie në TM1 2014 krahasuar me TM1 2013, me përjashtim të pagave dhe mëditjeve të cilat shënuan rritje nga 69.6 milionë euro në 105.3 milionë euro në TM1 2014 (41.2 përqind e gjithsej shpenzimeve krahasuar me 24.8 përqind të gjithsej shpenzimeve në TM1 2013).
Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime kanë shënuar rënie për 14 përqind dhe kanë shënuar vlerën 32.6 milionë euro. Subvencionet dhe transferet po ashtu kanë shënuar rënie prej 11 përqind dhe kanë arritur vlerën prej 70.8 milionë euro.
Shpenzimet qeveritare për investime kapitale në TM1 2014 kanë shënuar vlerën prej 39.8 milionë euro krahasuar me 87.9 milionë euro në TM1 2013. Rënia e theksuar e kategorisë së investimeve kapitale i adresohet përfundimit të projektit të autostradës, komponentë kjo që në TM1 2013 ka qenë në implementim e sipër, thuhet në raport.