Të enjten do të shqyrtohet Projektligji për Buxhetin e vitit 2013
Prishtinë, 12 nëntor - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që gjatë kësaj jave të mbahen dy mbledhje plenare të Kuvendit.
Seanca e së enjtes i kushtohet shqyrtimit të parë të Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitit 2013.
Arsyetimin e këtij projektligji, shumë të rëndësishëm për vendin, para deputetëve pritet ta bëjnë kryeministri i Kosovës, Hashim Taçi dhe ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Bedri Hamza.
Në këtë seancë, si rëndom, deputetët pritet të ngrenë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Kryesia ka miratuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ta informuar Kuvendin lidhur me takimin e tij të dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Për bisedimet që po zhvillohen me Serbinë, kryeministri do të flasë në seancën e së premtes.
Në po këtë seancë, deputetët do të kenë mundësinë të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës.
Do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, Projektligji për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve Shota dhe për ansamblet tjera, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës.
Duke e shqyrtuar për herë të dytë kërkesën për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës, Kryesia ka kërkuar nga grupet parlamentare që deri në seancën e së premtes ti propozojnë nëntë anëtarë të Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së (PDK-ja dhe LDK-ja nga dy kandidatë, kurse grupet e tjera parlamentare nga një kandidat), në mënyrë që të formalizohet përbërja e këtij komisioni.
Kryesia ka mbetur ta shqyrtojë edhe një herë kërkesën Grupit të Grave Deputete për ndihmë financiare për blerjen e aparaturës së Mamografit Mobil, pasi të marrë informata shtesë për këtë projekt të grave deputete.
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar lidhur me pjesëmarrjen e komisioneve parlamentare në konferencën e mbajtur në Mal të Zi, si dhe për vizitën e Komisionit për Arsim të realizuar në Bullgari.