TAP-i hap perspektivë të re
Prishtinë, 17 gusht - Plani i Qeverisë së Kosovës, që edhe vendi ynë të kyçet në projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), është vlerësuar lart nga njohësit e ekonomisë. Ata kanë thënë se vendi dhe qytetarët do të përfitonin shumë nëse do të arrihej një synim i tillë. Sipas tyre, Kosova me TAP do të bëhet faktor jo vetëm rajonal, por edhe më gjerë.
Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se nëse TAP-i kalon edhe nëpër Kosovë do të jetë një arritje e madhe për vendin, pasi do të kyçet në linjë jo vetëm rajonale, evropiane, por dhe më gjerë. Gërxhaliu ka vlerësuar se me këtë projekt Kosova faktorizohet më shumë dhe do të ketë rol më të rëndësishëm në rajon dhe me gjerë.
Nga ky projekt do të përfitonin të gjithë, veçanërisht komuniteti i biznesit në Kosovë, pasi do të zvogëlohen shpenzimet dhe do të ulet kostoja e prodhimit të mallrave, ka thënë ai. Sipas tij, është koha që institucionet e Kosovës të angazhohen dhe jo vetëm të merren me deklarata, por me plane konkrete për ti arritur qëllimet që janë me rëndësi për të ardhmen e vendit.
Kurse profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës (UP), Isa Tahiri, ka deklaruar se nëse Kosova do të kyçet në projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), do të ishte një arritje e madhe jo vetëm ekonomike, por edhe në gjeopolitikën e Kosovës. Tahiri ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çdo gjë që TAP të vijë edhe kah Kosova, pasi përfitues do të jenë qytetarët e Kosovës.
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili tani për tani ka një trase, e cila nuk e ka përfshirë Kosovën, është një mundësi e mirë për të gjithë por, fatkeqësisht, në projektin që është përzgjedhur së fundmi, ai nuk parashihet të kalojë nëpër Kosovë, por nëse politika e Kosovës dhe miqtë në Evropë dhe më gjerë angazhohen që të sillet TAP-i në Kosovë, atëherë është një arritje e madhe, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova do të përfitonte në shumë aspekte, duke filluar nga punësimi i shumë personave, të cilët do të punonin në tubacionet e tij.
TAP parashihet të punësojë shumë persona në vendet në të cilat do të përfshihet. Nëse do të kalonte edhe nëpër Kosovë, vërtet do të ishim fatlumë, pasi ky është një projekt gjigant dhe vendi do të përfitonte për një kohë të gjatë nga ky projekt, ka thënë ai për gazetën Epoka e re.
Sipas tij, edhe nga shpronësimi i pronave do të ketë përfitime, pasi tubacionet janë shumë të gjëra dhe marrin hapësira të mëdha të tokës. TAP-i do ta furnizojë Evropën me gaz. Natyrisht se mund të jetë për transport nga vendet tona, por edhe ne tani kemi nevojë për gaz, pasi ka ardhur koha ti shfrytëzojmë ato resurse që në vendet e zhvilluara përdoren shumë, ka thënë ai.
Profesor Tahiri ka marrë shembull Kroacinë, e cila në këtë kohë po e përdor shumë gazin, pasi është më i lirë. Kurse Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, një ditë me herët, në një intervistë për gazetën Epoka e re, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që Kosova të kyçet në projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Ai ka deklaruar se që nga bërja publike e këtij projekti kryeministri Thaçi dhe ai personalisht janë angazhuar në takime të ndryshme me Shqipërinë dhe me qeveritë e shteteve të BE-së, të cilat janë aksionare në këtë projekt, që edhe Kosova të përfshihet në TAP.
Hoxhaj është shprehur se Kosova duhet të jetë vendkalim i këtij burimi të rëndësishëm natyror. Kyçja e Kosovës në TAP do të krijonte të ardhura vjetore të qëndrueshme. Në rrafshin ekonomik do ti sillte Kosovës diversitet në burimet energjetike dhe padyshim se qytetarët e Kosovës do të kishin çmime më të ulëta të furnizimit me energji nëpërmjet këtij gazi, ka theksuar Hoxhaj.
Çfarë është TAP?
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni Trans-Adriatik do të transportojë gaz natyral nga struktura gjigante Shah Deniz II në Azerbajxhan, duke e përcjellë nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë përtej Detit Adriatik në Italinë jugore dhe më tej në Evropën Perëndimore. Projekti ka për qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit si dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane.
Në këtë mënyrë TAP-i do ta hapë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit, duke rritur sigurinë e Evropës për energji, duke kontribuar në diversifikimin e furnizimit të rajonit me gaz.
Projekti është hartuar për ta zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 deri në 20 MMK në vit në varësi të volumit.
Projekti TAP mundëson gjithashtu zhvillimin e objekteve të magazinimit të gazit natyror në Shqipëri për të garantuar më tej sigurinë e tregjeve evropiane gjatë ndonjë ndërprerjeje operacionale.
TAP-i do të promovojë zhvillim ekonomik dhe hapje vendesh pune përgjatë korridorit të tubacionit dhe është i vetmi tubacion në Korridorin Jugor të Gazit, i cili nuk është në varësi të fondeve publike. Ndërtuesit e gazsjellësit planifikojnë ta fillojnë ndërtimin në vitin 2015 dhe ta bëjnë kalimin e parë të gazit në vitin 2019.
(Epoka e re)