15 Nëntor 2024

Taksat duhet të alokohen për qëllimin për të cilin mblidhen

Prishtinë, 12 prill- Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) organizuan sot konferencën për media me ç’rast u prezantua analiza e politikave ”Taksat e dedikuara në Kosovë - çka po marrim në këmbim të pagesës”.

Ky punim është rezultat i përpjekjeve të Institutit INDEP për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen demokratike në vend përmes sigurimit të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike.

Analiza shqyrton taksat e dedikuara në Kosovë duke u fokusuar në trajtimin që institucionet e Kosovës i bëjnë të hyrave që në qëllimin e tyre janë të dedikuara. Në prezantimin e tyre, Dardan Abazi dhe Learta Hollaj nga INDEP vunë theksin tek natyra e mbledhjes së të hyrave në buxhetin e Kosovës.

“Një problematikë bazë që kjo analizë synon ta adresojë është mbledhja e taksave për qëllime të dedikuara dhe më pas rishpërndarja e tyre për qëllime të tjera” – theksoi z. Dardan Abazi, hulumtues në INDEP. Si shembull u përmenden rasti i taksës ekologjike dhe taksës rrugore ku të njëjtat mblidhen për një qëllim të caktuar dhe nuk alokohen për të njëjtin qëllim. “Kjo praktikë, shkelë parimin e ekuivalentit në caktimin e taksave dhe tatimeve publike dhe dëmton qytetarët e Kosovës” tha në vazhdim z. Abazi.

Në vijim të argumenteve të prezantuara nga INDEP, znj. Learta Hollaj, hulumtuese në këtë institut, listoi përfundimet dhe rekomandimet e analizës. ”Sistemi i tanishëm i menaxhimit të financave publike është i centralizuar dhe nuk i përgjigjet nevojës reale dhe shpenzimeve reale” – theksoi ajo.

”Baza ligjore duhet të sigurojë që qëllimet e mbledhjes së një takse të dedikuar dhe shpenzimet të përputhen. Në këtë mënyrë do të respektoheshin parimet e mbledhjes së taksave të dedikuara, do të mbrohej qytetari dhe do të siguroheshin burime të qëndrueshme dhe të besueshme të financimit të projekteve dhe fondeve në pajtim me prioritetet qeveritare” – tha znj. Hollaj.

Ndërkaq,  Besa Luzha, koordinatore e programit në FES theksoi rëndësinë që FES i kushton temave si kjo të cilën e ka trajtuar INDEP. ”Qëllimi i punimit është në përputhje me vlerat të cilat fondacioni ynë i promovon dhe së bashku me INDEP ne do të vazhdojmë të avokojmë për tema të tilla” – theksoi ajo. Më tej, znj. Luzha theksoi që një rol tejet të rëndësishëm në adresimin e këtij problemi e ka edhe Kuvendi i Kosovës, pranë të cilit do të prezantohen dhe të gjeturat e kësaj analize.

Konferenca u organizua në kuadër të programit të INDEP për qeverisje demokratike dhe u mbështet nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)