16 Nëntor 2024

Takimi me Zvicrën për pensionet, në tetor

Prishtinë, 24 gusht -  Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se është e qartë që gjendja sociale dhe e punësimit në Kosovë kërkon të bëhet më shumë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se me ta marrë detyrën ka bërë një analizë se çfarë sfidash e presin në ministrinë që drejton.

Abrashi ka bërë me dije se kjo Qeveri ka filluar mandatin me një buxhet të trashëguar, bilanci i të cilit, sipas tij, nuk ka qenë edhe aq inkurajues. “Sidoqoftë në fushën e punës dhe mirëqenies sociale kam zhvilluar një plan intervenimi i cili, për dallim nga e kaluara, pakrahasimisht do ta ndryshojë mënyrën se si trajtohen këto tema në vendin tonë dhe se si mund të arrihen rezultate edhe kur përballemi me kufizime buxhetore”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se ministria që drejton ka filluar mbarë me punë.

Duke folur për numrin e të papunëve në vend dhe mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës, Abrashi ka thënë se popullata e Kosovës është e re dhe vitale. Në këtë drejtim ai ka shtuar se është për të ardhur keq që në të kaluarën sektori i arsimit nuk ka komunikuar si duhet me zhvillimet në tregun e punës në vend dhe më gjerë. “Për pasojë, ne paralelisht përballemi me dy situata: e para, hyrja e një numri të madh të rinjsh në tregun e punës dhe: e dyta, mungesa e një aftësimi profesional që do t’u përshtatej kërkesave dhe trendëve të tregut të punës”, është shprehur Abrashi.

Sipas tij, qeverisja aktuale ka për prioritet ndërlidhjen me të mirë të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. “Kemi filluar me skemat aktive të tregut të punës të cilat do të krijojnë vende të reja të punës, do t’i përmirësojnë klimën dhe kushtet e të bërit biznes. Do ta vazhdojmë zgjerimin dhe përmirësimin e programeve të trajnimeve për punëkërkues nëpërmjet ndërtimit të urave të bashkëpunimit me partnerë dhe organizata që ndërmjetësojnë në punësim”, ka deklaruar Abrashi.

Një problem për disa vite që është bartur dhe që është premtuar të zgjidhet nga Kosova e që nga Zvicra po zvarritet, është ai i pensioneve. Ministri Abrashi ka treguar se në fillim të mandatit ka filluar kontaktet me Ambasadën e Zvicrës. “Pas këtij kontakti, ministria në muajin shkurt ka pranuar një pyetësor me pyetje shtesë rreth sistemit pensional në përgjithësi. Ministria, pas konsultimit me organizatat e tjera, e ka kthyer pyetësorin në prill si dhe ka vazhduar kontaktet me autoritetet e Zvicrës.

Gjatë muajit tetor një delegacion nga autoritetet zvicerane do ta vizitojë Kosovën për t’i sqaruar çështjet e mbetura dhe mundësisht për t’i filluar negociatat për marrëveshje”, ka shtuar ai. Abrashi ka thënë se është optimist që gjatë takimit në tetor do të ketë diçka konkrete sa i përket këtij procesi, i cili ka mbetur që pesë vjet pa u trajtuar. “Do të bëjmë atë çfarë kërkon interesi më i lartë për qytetarët tanë që kanë derdhur kontributet në Zvicër dhe nuk kemi komoditetin të jemi modestë në këtë temë, sepse janë në pyetje qytetarët tanë që kërkojnë të realizojnë një të drejtë që u takon”, është shprehur Abrashi.

Në pyetjen nëse ka në plan rritjen e pensioneve dhe ndihmat sociale, ai ka bërë me dije se në të dy këta sektorë pritet të ketë ndryshime. “Në të dy sektorët kemi filluar masat dhe ndryshimet në funksion të rritjes së shumës së pensioneve dhe ndihmës sociale”, ka deklaruar Abrashi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)