Takimi i G8, pritet të dominojnë problemet ekonomike në Evropë
Kriza ekonomike e Evropës pritet të jetë në qeëndër të vëmendjes së takimit të tetë vendeve më të industralizuara.
Kriza evropiane e borxheve dhe efektet e saj të mundshme në ekonominë botërore, do të jenë në mendjet e udhëheqësve të G8-tës kur ata do të takohen në vendpushimin presidencial Camp David.
Presidenti i ri francez Francois Hollande do të marrë pjesë në takim dhe gjithashtu do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
Pak analistë presin që udhëheqësit e G8-ës do të mbështesin ndryshime të mëdha në ekonominë e trazuar të Europës. Ata nuk presin që Shtetet e Bashkuara do të mbështesin ndonjë plan ndihmash financiare për Evropën.
Simon Johnson punon në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare në Uashington.
Ekonomia amerikane duket disi e pasigurt. Rimëkëmbja është e ngadaltë. Nëse tregjet financiare në Evropë përballen me vështirësi të mëdha nga moszgjidhja e problemit të borxhit, ky nuk do të jetë lajm i mirë për mundësinë e rizgjedhjes së presidentit Obama.
Një udhëheqës i G8-tës do të mungojë në Camp David. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili filloi detyrën ditët e fundit, tha se ai është i zënë me punë të tjera në Moskë.
Në vend të tij do të marrë pjesë kryeministri dhe ish-presidenti Dmitry Medvedev.
Sigurimi i ushqimit në Afrikë është një nga temat e takimit.
Presidenti Obama pritet të prezantojë një plan për të përmirësuar zhvillimin e bujqësisë në kontinentin e Afrikës.
Ai ka ftuar udhëheqësit nga Benini, Etiopia, Gana dhe Tanzania për të marrë pjesë në takim.
Kristin Wedding punon në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Siguria e ushqimit ka qenë një nga pikat e rëndësishme në axhendën e politikës së jashtme të presidentit Obama, dhe duke i sjellë katër udhëheqës të Afrikës, ai dëshiron të nënvizojë investimet e Shteteve të Bashkuara në Afrikë, si dhe sukseset që janë arritur atje deri tani.
Administrata e presidentit Obama mori një angazhim tre-vjeçar prej 3,5 miliardë dollarësh në vitin 2009 për planin afatë-gjatë të sigurisë globale ushqimore dhe zhvillimin e bujqësisë. Zonja Wedding pret që Shtetet e Bashkuara të kërkojnë donatorë tjerë në këtë takim.
Pas takimit në Camp David, një pjesë e udhëheqësve të G8-ës do të shkojnë në Çikago për të marrë pjesë në takimin e NATO-s.