07 Maj 2024

Takimi i G20 do të dominohet nga kriza në eurozonë

Washington, 15 qershor - Një pjesë e mirë e vëmendjes së presidentit Barak Obama në takimin ekonomik të Grupit të 20-tëshes javën tjetër në Meksikë, mund të përqendrohet në përpjekjet për zgjidhjen e problemeve monetare që ka Evropa.

Edhe pse  në takim marrin pjesë ekonomitë kryesore të botës, shumë analistë pohojnë se kriza e eurozonës mesa duket do të dominojë takimin e G20, i cili fillon në vendpushimin Los Cabos të Meksikës.

“Kriza e eurozonës do të dominojë takimin në Los Cabos,” thotë Stewart Patrick në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zgjedhjet parlamentare të dielën në Greqi do shtojnë urgjencën e përpjekjeve për zgjidhjen e krizës. Grekët do të zgjedhin mes kandidatëve që mbështesin masat shtrenguese që vijnë me ndihmën ekonomike evropiane dhe atyre që janë kundër marrëveshjes, e ndoshta e nxjerrin Greqinë nga eurozona.

Administrata e presidentit Obama shpreson që evropianët në takim të shpallin masa ndaj krizës bankare dhe të borxheve. Ata shpresojnë se plani do të përfshijë më pak masa shtrenguese dhe më shumë përpjekje për të nxitur rritjen dhe stabilizimin e sistemit financiar evropian.

“Pjesë e saj janë ndërmarrja e veprimeve të qarta sa më shpejt për hedhur kapitale tek bankat e dobëta. E rëndësishme është që udhëheqësit të shpalosin një kornizë dhe një vizion për një eurozonë më të fuqishme, përfshi bashkëpunim më të thellë në politikat buxhetore dhe bankare.”

Shpërbërja e eurozonës mund të kete efekte përtej Evropës, thotë analisti Stewart Patrick.

“Ekziston frika se kjo do të dëmtojë ekonominë globale në një kohë kur disa prej tregjeve kryesore në rritje, përfshi Kinën dhe Indinë që kanë qënë motorat e rritjes, kanë filluar të bien.”

Evropa është partneri më i madh tregtar i Amerikës, dhe dështimi i rëmëkëmbjes ekonomike mund të shkaktojë probleme për ekonominë amerikane, çka do të minonte rizgjedhjen e zotit Obama.

Në Los Cabos, zoti Obama do të zhvillojë një takim me homologun rus Vladimir Putin.

Ata mund të diskutojnë mbi kundërshtimin rus ndaj sanksioneve për Iranin dhe Sirinë dhe dyshimet e Moskës ndaj planeve amerikane për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë.

Autori David Satter i Institutit Hudson, nuk pret përparime.

“Këto synime nuk mund të arrihen në këtë takim, sepse pala ruse nuk ka interes në arritjen e marrëveshjeve në këto çështje.”

Por shumica e udhëheqësve të G20 kanë interes në zgjidhjen e problemeve ekonomike të botës. Ata shpresojnë ta fillojnë këtë duke u mbushur mendjen evropianëve që fillimisht të zgjidhin problemet e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)