Suedia ndan 1.86 milion euro për projektin e kogjenerimit për Termokosin
Ministri Besim Beqaj falënderoj taksapaguesit suedez dhe Qeverinë e tyre që po mbështesin projektin strategjik për qytetarët e vendit tonë, me theks të veçantë për Prishtinën, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes në vlerë 1.86 milionë euro, që është financim përmes Grantit nga Qeveria Suedeze për të mbështetur projektin e rëndësishëm të ko-gjenerimit që do të fuqizojë ndërmarrjen Termokos .
Ai gjithashtu falënderoi edhe donatorët tjerë për kontributin e tyre në mbështetje të Termokosit, duke përfshirë KfW-në, Komisionin Evropian dhe Luksemburgun.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Besim Beqaj, Esther Gravenkötter - drejtoreshë e KfW-së për Kosovë dhe Maqedoni, Maria Melbing - konsull në Ambasadën Suedeze në Prishtinë, si dhe Arsim Janova - drejtor menaxhues në Ngrohtoren Qendrore TERMOKOS sh. a.
Me këtë rast ministri i Financave Besim Beqaj tha se Qeveria e Kosovës e ka mbështetur Ngrohtoren Qendrore TERMOKOS sh. a. me subvencione përgjatë 6 viteve me mbi 15 milionë euro. Subvencionet kanë pasur të përfundojnë në sezonin e kaluar (respektivisht 2012-2013), por ato janë vazhduar deri në fillimin e projektit të kogjenerimit.
I pari i Ministrisë së Financave bëri të ditur se projekti parasheh që të ketë kosto shtesë për arsye të zhvendosjes së stacionit të këmbimit të nxehtësisë dhe ndryshimit të teknologjisë së nxjerrjes së nxehtësisë nga termoelektranat.
Ministri Beqaj tha se Ministria e Financave parasheh që kjo mbështetje do të ketë kosto shtesë në vlerë prej 4 milionë euro, dhe do ti kontribuoj ngritjes së kapacitetit të ndërmarrjes duke mundësuar dhe ofruar shërbime sa më të mira për qytetarët e vendit tonë.
Drejtoresha e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për Kosovë dhe Maqedoni, Esther Gravenkötter theksoi se - projekti për përmirësimin e sistemit të ngrohjes në Prishtinë është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të donatorëve me pushtetin qendror dhe atë lokal të Republikës së Kosovës.
Ajo tha se deri tani, Ministria e Financave dhe KfW-ja kanë nënshkruar një Marrëveshje për Financim për shumën prej 24.8 milionë euro për përkrahjen e këtij projekti. Financimi i projektit përbëhet nga grante të Komisionit Evropian dhe Qeverisë Gjermane në vlerë prej 13.8 dhe 6 milionë euro, të cilave u shtohet një kredi prej 5 milionë euro nga KfW-ja. Edhe Komuna e Prishtinës kontribuon me një grant prej 2 milionë euro.
Së fundi i janë bashkangjitur financimit të projektit edhe Qeveria Suedeze dhe ajo e Luksemburgut me një grant prej 3.3 milionë euro. Edhe Banka Zhvillimore e Austrisë (OeEB) është e përfshirë në përkrahjen e këtij projekti përmes mbulimit të një pjese të riskut, ka shtuar ajo.
Ndërsa, Maria Melbing - konsull në Ambasadën Suedeze në Prishtinë dhe njëherazi drejtoreshë e SIDA-s në Prishtinë, tha se për Qeverinë e Suedisë ky është një projekt shumë i rëndësishëm, pasi që ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Prishtinës si dhe ky projekt është shumë i rëndësishëm për ambientin në Prishtinë dhe në tërë Kosovën.
Arsim Janova, drejtor menaxhues në Ngrohtoren Qendrore TERMOKOS sh. A, duke falënderuar për mbështetjen e të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë projekt, tha se është duke u punuar intensivisht në mënyrë që projekti të përfundoj me kohë në mënyrë që në sezonin 2014 2015 të furnizohemi me ngrohje nga Obiliqi.
Me këtë një herë e përgjithmonë do të hiqet nga përdorimi mazuti i cili është tepër i shtrenjtë i dhe i dëmshëm për ambientin e Prishtinës, bëhet ulja e shpenzimeve për prodhimin e ngrohjes për së paku 50 %.
Do të ketë ngrohje të mjaftueshme për qytetarët tanë, sigurisht jemi në fazën e arritjes së marrëveshjes me KEK-un rreth çështjes së çmimit, besoj që edhe çmimi do të jetë i favorshëm edhe për qytetarët tanë dhe do të jetë një projekt që me të vërtetë do tia kenë lakmi edhe në rajon, tha Janova.