Suedia mbështet me mbi 6 mln euro projektet mjedisore
Prishtinë, 28 tetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Suedisë (SIDA). Me këtë marrëveshje, SIDA do të financojë projekte mjedisore në vlerë prej mbi 6 milionë euro.
Ministri Agani ka falënderuar Qeverinë e Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Ministrisë së Mjedisit, që prej themelimit në vitin 2002 e deri më tani. Ai përmendi me këtë rast projektet, siç janë hartimi i Strategjisë së Mjedisit dhe Plani i Veprimit në Mjedis, projekti i hartimit të Planeve lokale për Mjedis, projekti në fushën e planifikimit hapësinor etj.
Agani u shpreh se MMPH-ja përballet me një buxhet të kufizuar, ndërsa nevoja për zhvillimin e projekteve për përmirësimin e gjendjes mjedisore të cilat dalin nga Strategjia dhe Plani i Veprimit në Mjedis dhe strategjitë e tjera sektoriale, si Strategjia e Ujërave dhe ajo e Mbeturinave kërkojnë mjete financiare të cilat nuk do të mund të përballoheshin vetëm nga buxheti i Ministrisë.
Andaj financimi i projektit Programi Mjedisor për Kosovën, sipas tij, vjen në kohën më të duhur për MMPH-në.
Ministri Agani shpjegoi se marrëveshja që u nënshkrua sot ka për objektiv të zhvillojë kapacitetet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Këshillit Ndërministror të Ujërave, komunave dhe aktorëve të tjerë në monitorimin dhe menaxhimin e mjedisit, duke zhvilluar kapacitetet për zbatimin e legjislacionit mjedisor, në përputhje me direktivat e BE-së. Kjo duke rritur njohuritë për burimet ujore të Kosovës dhe përmirësuar menaxhimin e tyre, për të përmirësuar aftësinë ripërtëritëse ndaj ndryshimeve mjedisore dhe klimatike; për të rritur njohuritë dhe mbrojtjen e biodiversitetit, si dhe për të përmirësuar menaxhimin e zonave të mbrojtura ndërkufitare.
Komponentë të programit do të trajtojnë pjesë të ndryshme të acquis të BE-së. Kjo do të përfshijë udhëzime dhe rregullore për politika ujore, monitorimin e mjedisit dhe të raportimit, habitatet, menaxhimin e burimeve ujore, mbrojtjen e ujërave nëntokësore, ujërave të zeza dhe bashkëpunimin ndërkufitar për zonat e mbrojtura të natyrës. Dokumenti Programi Mjedisor për Kosovën është përgatitur nga MMPH-ja dhe Këshillit Ndërministror të Ujërave, i ndihmuar nga një ekipi i konsulentëve nga ORGUT Consulting, Suedi.
Programi është propozuar për t\'u financuar nga SIDA. Përzgjedhja e komponentëve që përfshihen në propozimin e Programit është bërë në bazë të prioriteteve dhe në përputhje me politikat e strategjive dhe planeve të veprimit, duke përfshirë Strategjinë Mjedisore të Kosovës dhe Planin Kombëtar të Veprimit në Mjedis.
Programi përbëhet nga komponentët teknike të mëposhtme:
1. Forcimi i kapaciteteve të AKMM-së për monitorimin e mjedisit, vlerësimin dhe raportimin
2. Konservimi i biodiversitetit nëpërmjet Librit të Kuq të llojeve të habitateve në Kosovë
3. Forcimi i menaxhimit të zonave ndërkufitare natyrore
4. Krijimi i rrjetit të monitorimit të ujërave nëntokësore në Kosovë
5. Forcimi i kapaciteteve për zbatimin e legjislacionit mjedisor në nivel qendror dhe lokal
6. Hulumtimi i ujerave nëntokësor në pellgun e lumit Drin
7. Plani i menaxhimit të basenit të lumit Drin për pellgun lumor
8. Mbështetja e Këshillit Ndërministror të Ujërave nëpërmjet detyra afatshkurtra
Ministri i Mjedisit, Agani, theksoi se marrëveshje që po nënshkruhet sot mundëson realizimin e njërit prej projekteve me prioritare për ministrinë që ai drejton.
Henrik Nilson, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, i cili e ka nënshkruar memorandumin, foli për projektet që SIDA dhe Qeveria Suedeze kanë mbështetur në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Ai u zotua për vazhdimin e përkrahjes.