Suedia e gatshme për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën
Prishtinë, 2 nëntor - Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim Anders Wollter i ngarkuar me punën e Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe regjistrimit të pronave në Kosovë.
Me këtë rast, Ministri Hamza e falënderoi z. Wollter për kontributin e tij dhe të shtetit Suedez që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për institucionet e Kosovës, në veçanti për përkrahjen e sektorit të regjistrimit të pronave si dhe në përgatitjen Projektligjit të Tatimit në Pronë i cili do ti hapë rrugën materializimit të reformës së nisur në këtë sektor.
Ministri Hamza, gjatë takimit gjithashtu theksoi se Ministra e Financave mbetet e angazhuar për plotësimin e detyrimeve të saja sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me SIDA-n, në fushën e tatimit në pronë si një nga reformat më të rëndësishme të Ministrisë së Financave, dhe falënderoj shtetin Suedez për ndihmën dhe asistencën e sajë që Kosova të ketë një regjistër të saktë të pronave.
Ndërsa, Anders Wollter i ngarkuar me punën e Ambasadorit të Suedisë në Kosovë e falënderoi Ministrin Hamza për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e shtetit të tij për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, në veçanti në fushën e regjistrimit të pronave si një nevojë e kahershme për Kosovën.