15 Nëntor 2024

Suedia do të kontribuoj në Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive

Prishtinë, 27 janar - Ministrja Bajrami, takoi Göran Paulsson, zëvendësshef i misionit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë i cili shoqërohej nga z. Markus Johannesson, menaxher i programit për Evropën Lindore i Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Zhvillimor.

Znj. Bajrami, në emër të Qeverisë së Kosovës, shprehu falënderimin për mbështjetjen e çmueshme që shteti suedez i ka ofruar Republikës së Kosovës për vite me radhë, mbështetje e cila po vazhdon edhe më tutje.

Ministrja u foli mysafirëve nga Suedia rreth aktiviteteve të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në drejtim të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Ajo ua shpjegoi mysafirëve suedezë ecurinë e deritanishme të procesit për themelimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive duke nënvizuar se ky Fond do të përmirësojë dukshëm qasjen në financa për bizneset duke mundësuar mbulimin e rrezikut kreditor me 50%.

Ministrja shtoi se Fondi do të jetë një institucion i pavarur dhe do të udhëhiqet nga një bord profesionistësh i cili do të emërohet në bashkëpunim me donatorët kontribues.  

Sa i përket financimit të Fondit për Garantimin e Kredive, znj. Bajrami i njoftoi mysafirët se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të kontribuojë me 3 milion euro, ndërsa në bazë të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të MTI-së dhe donatorëve, pritet që Fondin ta përkrahin, qoftë financiarisht apo përmes asistencës teknike, edhe qeveria amerikane përmes USAID-it, ajo gjermane përmes KfW-së, qeveria zvicerane përmes SECO-s dhe ajo austriake përmes agjencisë ADA. 
 
Përfaqësuesit e shtetit suedez shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuar në Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive dhe u interesuan për aspekte të qeverisjes korporative të Fondit.

Ministrja Bajrami, mirëpriti interesimin e qeverisë suedeze për të kontribuar në këtë Fond dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me të gjithë donatorët në drejtim të jetësimit të këtij Fondi i cili përbën një nga instrumentet e rëndësishme që do të ndihmojë sektorin privat në qasjen në financa dhe rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)