19 Nëntor 2024

Strategjitë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shfrytëzimin e avantazheve të arbitrazhit

Prishtinë, 20 dhjetor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë , Qendra për zgjidhjen alternative të kontesteve (AmCham – Qendra ZAK), organizoi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të bizneseve për të diskutuar strategjitë për zgjedhjen e sistemit të përshtatshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Të pranishëm në tryezë ishin arbitra, avokat privat, ekspert të financave dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Paneli i ekspertëve, i përbërë nga Dastid Pallaska , Zana Bejta, Robert Muharremi, Merita Emini Stublla, dhe Visar Ramaj, analizoi faktorët që duhet të merren parasysh për të bërë një vendim të informuar se cilin sistem për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet ta zgjedhin kompanitë.

Ata krahasuan dallimet dhe përparësitë e arbitrazhit dhe gjykatave shtetërore, duke shfrytëzuar avantazhet e arbitrazhit. Nga ana tjetër, bizneset shprehën shqetësimet e tyre për mekanizmin tradicional për zgjidhjen e kontesteve në Kosovë, përkatësisht gjykatat, dhe mirëpritën shërbimet e arbitrazhit të ofruara nga Qendra ZAK e Odës Amerikane dhe përdorimin e avantazheve që ajo ofron.

Në hapje të tryezës, Merita Emini Stublla, Specialiste për Menaxhim të Projektit (Sundimi i ligjit) në Kosovë për USAID, theksoi se OEAK është një partner i rëndësishëm për USAID-in dhe se ata janë të lumtur që të mbështesin Qendrën ZAK në përpjekjet e saj për të përmirësuar sistemin e përgjithshëm të drejtësisë, duke ofruar shërbime profesionale dhe të pavarura për zgjidhjen e konflikteve.

 Ajo njoftoi të pranishmit se kjo mbështetje u mundësua përmes programit “USAID Forward” i cili ka për synim t’i ndihmoj institucionet e vendeve partnere.

Dastid Pallaska, arbitër dhe Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Qendrës ZAK në Odën Ekonomike Amerikane, ofroi një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës në Kosovës dhe nevojën që ajo ka për arbitrazh, gjithashtu ai paraqiti se si Qendra ZAK po zhvillohet si ofrues kryesor i shërbimeve të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit.

Pallaska shpjegoi se kur palët futen në transaksione biznesi, ato presin që në rastin e një mosmarrëveshjeje çështja do të vendoset nga persona që kuptojnë mënyrën e funksionimit të biznesit dhe që kanë ekspertizën e nevojshëm në atë fushë, duke shtuar më tej se si kjo mund të arrihet në arbitrazh.

Zana Bejta, Udhëheqëse e Çështjeve Ligjore dhe Rregullative në IPKO LL.C, ka ndarë shembullin e IPKO-s, një kompani e cila ka disa mijëra kontrata aktive me shumë biznese, vlera e të cilave arrijnë deri në 4 milion euro, dhe tregoi se pse ata i përdorin klauzolat e arbitrazhit në kontratat e tyre dhe se si arbitrazhi i ndihmon në biznes.

 Znj. Bejta theksoi se vendimi për të përdorur arbitrazhin është për shkak të avantazheve që ofron, sikurse është koha, konfidencialiteti dhe profesionalizmi. Përveç kësaj, ajo elaboroi se si ekspertiza e nevojshme për të vendosur mosmarrëveshjet në telekomunikacion mund të gjenden në arbitrazh.

Robert Muharremi, arbitër dhe Menaxher në Deloitte Kosova, diskutoi për shfrytëzimin e avantazheve të arbitrazhit në kontestet tregtare. Fillimisht, zoti Muharremi theksoi se korniza ligjore në Kosovë është në përputhje me praktikat më të mira, dhe se arbitrazhi ka potencial që të bëhet shumë i suksesshëm në Kosovë.

Ai theksoi se përparësi e rëndësishme e arbitrazhit mbi sistemin gjyqësor është niveli i ekspertizës në arbitrazh dhe parashikueshmëria e rezultateve përfundimtare, bazuar në vendimet e arsyetuara mirë në arbitrazh.

Në fjalimin përfundimtar, Visar Ramaj, Sekretari Gjeneral i Qendrës ZAK të Odës Ekonomike Amerikane, ju prezantoi bizneseve të dhëna empirike mbi trendet aktuale të përdorimit të arbitrazhit në botën e biznesit, dhe të efikasitetit të tij. Ai deklaroi se ekzistenca e klauzolës së arbitrazhi në kontrata e rritë sigurinë ligjore të bizneseve.

Bizneset që ishin në këtë tryezë ndanë përvojat e tyre dhe shprehën shqetësimet në lidhje me sistemin gjyqësor kur është fjala për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Megjithatë, ata mirëpritën mundësinë e arbitrazhit në OEAK, dhe u pajtuan të marrin në konsideratë përdorimin e klauzolave të arbitrazhit në kontratat e tyre.

 Përveç kësaj, ka pasur diskutime të gjalla se si bizneset mund të përfitojnë nga arbitrazhi, si dhe për masat e nevojshme për tu mbrojtur gjatë arbitrazhit .

Tryeza e rrumbullakët u organizua me mbështetjen e USAID-it në Kosovë, në kuadër të projektit që synon të rrisë kapacitetet e ZAK Qendrës për të siguruar shërbime të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)