Strashevski e Beqaj pajtohen të zgjerojnë bashkëpunimi Kosovë Maqedoni
Prishtinë, 28 janar - Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Republikën e Kosovës, Ilija Strashevski, dhe me këtë rast kanë vlerësuar se marrëdhëniet politike dhe ekonomike në mes të dy vendeve janë të mira me mundësi të zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë.
Ministri Beqaj e informoi ambasadorin Strashevski se vendi ynë ka qëndrueshmëri të lartë buxhetore dhe stabilitet makro fiskal si dhe ka parakushte të mira për zhvillim ekonomik dhe investime të jashtme.
Ministri Beqaj e njoftoi ambasadorin e Maqedonisë me masat më të reja në fushën e luftimit të ekonomisë joformale dhe potencoi se bashkëpunimi konkret ndërmjet vendeve të rajonit bënë që kjo dukuri të ulet sa më shumë që të jetë e mundshm.
Në këtë drejtim ministri Beqaj u angazhua për komunikim dhe bashkëpunim të gjithanshëm të doganave të dy vendeve me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe parandalimit e kontrabandës.
Nga ana e tij ambasadori Strashevski falënderoi ministrin Beqaj për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në lëmin e ekonomisë dhe financave dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve e sidomos në luftimin e informalietit si dhe në thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik me Kosovën.