Stone Alliance do të investojë në Kosovë, do krijojë 2500 vende pune
Prishtinë, 4 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësuesi i Kompanisë Stone Alliance nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Michael D. Barbero, sot, në prezencë të ambasadorit amerikan Greg Delawie dhe përfaqësuesit të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, për investime të kësaj kompanie në Kosovë.
Duke e konsideruar ditën e sotme të veçantë, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për storie të suksesit.
Sot, shtoi kryetari Veseli, suksesi dhe krenaria më e madhe është krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i bilancit tregtar të shtetit të Kosovës, duke rritur eksportin.
Ardhja e një kompanie të tillë amerikane, investimi i saj dhjetëramilionësh në Kosovë dhe punësimi i 2500 njerëzve, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë. Është gjithashtu, interes strategjik i Republikës së Kosovës, duke dëshmuar orientimin e saj të qartë properëndimor, mbi bazat e shtetit ligjor dhe ekonomisë së lirë të tregut, theksoi kryetari Veseli.
Ai u shpreh i bindur se nëpërmjet kësaj kompanie do të dërgohet mesazh te investitorët e tjerë ndërkombëtarë, se Kosova është një vend optimal për të investuar. Veseli tha se institucionet e saj do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm brenda kornizës ligjore, që lehtëson procedurat për ardhjen e investitorëve të huaj.
Përfaqësuesi i kompanisë Stone Alliance, Michael D. Barbero, duke falënderuar kryetarin Veseli për përkrahjen dhe vizionin e tij, pa të cilin, siç tha ai, sot nuk do të ishim këtu, u shpreh i kënaqur dhe i nderuar për nënshkrimin e këtij memorandumi.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar, pas pavarësisë së Kosovës, tani është i interesuar të rris ekonominë e saj, në të cilën një rol kyç luajnë investimet e huaja.
Ai shfaqi besimin se suksesi i projektit të kompanisë së tij, do ta dërgojë një mesazh të fuqishëm te komuniteti ndërkombëtar, se Kosova është një partner i shkëlqyer për të bërë biznes.
Barbero tha se kompania Stone Alliance synon të krijojë 2-3 mijë vende të reja pune në Kosovë, duke operuar me 40 gurthyes dhe katër fabrika, si dhe duke u fokusuar në trajnimin e fuqisë së saj punëtore kosovare.
Duke besuar në suksesin e këtij investimi, Barbero tha se kompania do të jetë investitor i madh në të ardhmen në Kosovë, duke stimuluar rritjen e ekonomisë vendore dhe ngritur reputacionin e biznesit të Kosovës jashtë vendit.
Ambasadori amerikan, Delawie, ndërkaq, tha se ky memorandum është një shembull i mirë i potencialit i cili ekziston në Kosovë, për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Duke e konsideruar këtë një lajm të mirë për Kosovën dhe SHBA-në, ai tha se pret me padurim zhvillimin e këtij projekti dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se Kosova ka pasur nevojë për një shembull të mirë, duke vlerësuar gjithashtu, se në dy vitet e fundit ka një interesim të shtuar të kompanive amerikane, të cilat kanë qëndruar në vendin tonë, për të parë mundësitë e investimeve këtu.