Stimulimi ekonomik për eurozonën do të vendoset në mars
Frankfurt, 24 shkurt - Guvernatori i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi thotë se do të vendoset më vonë, gjatë marsit, nëse do të miratohet stimulimi tjetër për ekonominë e eurozonës.
Ai shton se deri atëherë, banka duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm për të vendosur.
Draghi vëren se rimëkëmbja e ekonomisë europiane është e modeste dhe e brishtë, me nivel të pabarabartë aktiviteti.
Por në të njëjtën kohë, ai hedh poshtë shqetësimet për deflacion, duke sqaruar se inflacioni në eurozonë është në nivelet e lejuara nga banka, ose më pak se dy për qind për periudhën afatmesme.